Arbëri

Specialja kritikon avokatët e prokurorët për zvarritje të procesit ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Descriptive Text

Trupi gjykues i kryesuar prej Charles Smithit, ka kërkuar nga palët që t’i reduktojnë projeksionet e tyre, në mënyrë që paraqitja e anës së prokurorisë të përfundojë siç paralajmëruar, në prill të vitit 2025. Zyra e Prokurorit të Specializuar ka paralajmëruar reduktim të numrit të dëshmitarëve që synon t’i ftojë për të dëshmuar para gjykatës.

Tridhjetë orë gjykim do të mund të kursehen në dëshmitë e shtatë dëshmitarëve të ardhshëm nëse reduktohet koha e marrjes së tyre në pyetje, ka vlerësuar trupi gjykues në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Gjykatën Speciale në Hagë.

Gjyqtarët e rastit ndaj ish-drejtuesve të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së i kanë kërkuar mbrojtjes së të pandehurve që t’i dërgojnë vlerësim të ri për kohën se sa synojnë t’u parashtrojnë pyetje këtyre dëshmitarëve, para 18 marsit.

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Michael Doyle, ka thënë se përgjatë seancave të dy javëve të fundit trupi gjykues u ka bërë vërejtje palëve për pyetjet e panevojshme nga mbrojtja dhe uljen e numrit të dëshmitarëve nga ana e prokurorisë.

“E përmenda zvogëlimin e rastit të ZPS-së (reduktimin e numrit të dëshmitarëve), kishte edhe diskutim lidhur me kohën për marrje në pyetje të dëshmitarëve. Nuk kishte konkluzione. Mbrojtja theksoi se nuk do të donte të vendoste ndonjë kufij të ngurtë në për kohën e kundërpyetjeve, por që edhe të t’i bëjnë shqyrtimet e tyre për të ardhur deri te vlerësime më të sakta dhe i ftuan gjyqtarët që t’i thonë atyre se kur mund të kalojnë në një grup tjetër pyetjesh. Pra këto janë disa prej çështjeve që janë diskutuar”, ka thënë Doyle.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), siç ka thënë Doyle, ka paralajmëruar reduktim të numrit të dëshmitarëve që synon t’i ftojë për të dëshmuar para gjykatës.

Numri që ZPS-ja po e projekton aktualisht është edhe 144, e megjithatë, nuk përjashtohet as ulja e mëtejshme e numrit të dëshmitarëve.

“Shifra fillestare ishte njëfarë vlerësimi diçka rreth 300. Të mërkurën e kaluar prokuroria përveç 45 dëshmitarëve të thirrur deri më tani, projeksioni i tyre aktual është edhe 144 dëshmitarë të tjerë, por që po e shqyrtojnë reduktimin e mëtejshëm të numrit të dëshmitarëve. Kur jemi te informatat konkrete sa i përket kohës, e dimë tani se prokuroria që po vazhdon të thotë se prilli 2025 është e vetmja datë në të cilën po punojnë, por mendoj që në 21 maj do të mund të dimë më shumë për numrin e dëshmitarëve që vlerësojnë se do t’i ftojnë dhe kohëzgjatjen e pjesës së tyre”, ka deklaruar ai.

Doyle la theksuar se trupi gjykues është i vëmendshëm për sa i përket përshpejtimit të gjykimit që pritet të jetë i gjatë.

“Gjatë kësaj jave gjyqtarët caktuan më shumë seanca para fundit të vitit që është një mënyrë përmes të cilave procesi gjyqësor mund të bëhet më efektiv, gjë që u diskutua edhe gjatë shqyrtimit gjyqësor të mbajtur javën e kaluar. Çka mendoj që është me rëndësi të thuhet është se trupi gjykues në këtë rast është i vetëdijshëm dhe është i vëmendshëm sa i përket efikasitetit të procesit gjyqësor në këndvështrim të afatit të prillit 2025 – të cilin prokuroria e ka paraqitur. Mund ta shohim që po i kushtojnë shumë vëmendje në komunikimin me palët që këto projeksione kohore duhet të respektohen e që si mbrojtja ashtu edhe prokuroria duhet të bëjnë krejt çfarë munden për të ecur përpara. Trupi gjykues ka folur për shembull për përsëritjen e pyetjeve apo parashtrimin e pyetjeve jo-relevante dhe mendoj që gjë kyçe që gjyqtarët po i kushtojnë vëmendje ecurisë së procesit gjyqësor, ashtu që vlerësimet e paraqitura të jenë realiste”, ka theksuar ai.

Ai ka thënë se vëmendja tek efikasiteti dhe te dëshmitarët shtrihet te të gjitha rastet e Speciales.

“Gjyqtarët e Dhomave të Specializuara janë të përkushtuar në gjykim efektiv, duke siguruar respektimin e së drejtës në gjykim të drejtë për të akauzuarit dhe për mbrojtjen e dëshmitarëve. Për shembull, në rastin Thaçi dhe të tjerët, trupi gjykues në vazhdimësi ka lëshuar vendime që kanë për synim organizimin e dëshmive të dëshmitarëve dhe paraqitjen e provave në mënyrë sa më të efikase”, është shprehur Doyle.

Zëdhënësi Doyle ka paralajmëruar se edhe gjykata do t’u bëjë propozime palëve gjatë javëve në vijim në emër të efikasitetit të procesit gjyqësor.

Me qëllim të përshpejtimit të gjykimit, trupi gjykues i kryesuar nga Charles Smith i ka shtuar edhe nëntë data për seanca në kalendar për shqyrtimet gjyqësore në rastin ku ish-presidenti Hashin Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, po gjykohen me pretendimet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata u arrestuan ndërmjet 4 dhe 5 nëntorit 2020. Që nga viti 2020 e deri në vitin 2023 gjykimi i tyre ka qenë në procedurë paragjyqësore. Shqyrtimi kryesor në këtë rast ka nisur në prill të vitit 2023.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi i kanë mohuar akuzat e prokurorisë. Deri javën e fundit të shkurtit, në këtë rast janë dëgjuar 48 dëshmitarë të ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.