Arbëri

Osmani e bindur se njohja nga Ukraina vjen bashkë me fitoren e saj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur bindjen se njohja nga Ukraina do të vijë bashkë me fitoren e saj ndaj Rusisë.

Në hyrjen e samitit për Ukrainën në Tiranë, Osmani e pyetur se a do ta kërkojë njohjen nga Ukraina, ka thënë se Kosova mirëkupton gjendjen e jashtëzakonshme me të cilën përballet populli ukrainas.

“Janë çështje bilaterale. E kemi bërë gjithmonë një kërkesë të tillë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë me mirëkuptimin e plotë që Ukraina është në gjendje të jashtëzakonshme, gjendje lufte dhe po lufton për lirinë e saj, pavarësinë e saj dhe vlerat që janë aq të rëndësishme për secilin prej nesh. Jam e bindur se ai moment do të vijë bashkë me fitoren e Ukrainës”, ka thënë Osmani.

Image

Ajo e ka vlerësuar të rëndësishëm këtë samit. Sipas saj, aty do të ofrohet mbështetja e Kosovës për Ukrainën. “Ka rëndësi sepse do të kemi mundësi që si aleatë në vlera të japim gjithë mbështetjen tonë për Ukrainën siç kemi bërë që nga dita e parë e invazionit të paprovokuar dhe ilegal të Rusisë ndaj Ukrainës, duke vendosur sanksione, duke mbështetur qytetarët e Ukrainës, duke mbështetur ushtrinë ukrainase. Do ta bëjmë edhe tash e tutje. Sot në Samit do të flas për hapat konkret që Kosova po i merr në këtë drejtim dhe natyrisht do të jemi këtu deri në fitoren e Ukrainës”, ka thënë Osmani.

Për çështjen e përballjes me liderë të Serbisë, Osmani ka thënë se “gjithmonë do të kemi ballafaqime me ta sepse për fat të keq ata jetojnë në të kaluarën”.

E, në Facebook gjatë ditës ka përsëritur se Kosova qëndron pro Ukrainës deri në fitore. "Fitorja e Ukrainës është fitore e Evropës! Është fitore ndaj atyre që duan ta destabilizojnë Ballkanin Perëndimor dhe të rikthejnë mendësinë e dhunës e shkatërrimit!" ka shkruar ajo.

VIDEO: