Zyrat Komunale për Komunitete dhe Kthim në Gjakovë, Kryesuesi i Komitetit për Komunitete, organizatat “Prespektiva”, “Prosperiteti”, “Roma in Action” dhe disa aktiviste kanë bërë thirrje që të hetohet vdekja e 4-vjeçares nga Gjakova, Në reagim thuhet se e vërteta duhet të zbardhet rreth kujdesit së vajzës, të zbulohet përgjegjësia eventuale dhe të punohet me standardet e nevojshme.
Në një letër të përbashkët, këto organizata kanë thënë se duhet të respektohet edhe privatësia dhe dinjiteti i familjes së viktimës.
“Familja e Melisës dhe mbarë shoqëria nga Komuna e Gjakovës janë të tronditur nga kjo ngjarje e dhimbshme dhe e ndjeshme, dhe përmes kësaj deklarate të përbashkët, dënojmë çështjen dhe kërkojmë drejtësi dhe transparencë nga autoritetet e hetuesisë dhe drejtësisë në lidhje me këtë rast të trishtë”, thuhet në komunikatë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se është në pritje të raporteve finale për vdekjen e së miturës.
Vajza katërvjeçare, siç ka bërë të ditur Policia në raportin 24-orësh, po trajtohej në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës që nga 17 shkurti.
Më 19 shkurt ajo vdiq, ndërsa trupi i saj është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Familjarët janë ankuar për neglizhencë nga Spitali i Gjakovës. Organizata të shoqërisë civile kanë thënë se rasti ka ngritur shqetësime serioze lidhur me standardet e praktikës mjekësore dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.