1 perditesime
Arbëri

Serbët në protestë: Të anulohet vendimi për dinarin

Serbët në protestë: Të anulohet vendimi për dinarin
Foto: Driton Paçarada / KOHA
11:53

Serbët në protestë: Të anulohet vendimi për dinarin

Serbët lokalë në veri të Mitrovicës protestuan të hënën për të kundërshtuar Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) e cila ndalon përdorimin e dinarit.

Qytetarët janë mbledhur në sheshin e Mitrovicës së Veriut e në krye të tyre janë parë edhe zyrtarë të Listës Serbe.

“Evropë hapi sytë”, “Pa ndihma sociale s’do të kemi as buke për të ngrënë”, “Pensionin që e kam fituar tërë jetën, nuk e jap për Kurtin” e “Rezoluta 1244, SHBA ndihmona”, janë disa nga pankartat që kanë mbajtur protestuesit në duar.

Kryetarja e pensionistëve ka bërë thirrje për bashkësinë ndërkombëtare që ta dëgjojë apelin e tyre për ndërprerje të vendimit.

“Po i drejtohemi krejt botës që ta dëgjojë apelin tonë. Për ne është shumë me rëndësi që të ndërpritet ky vendim që ne të mund të marrim paga në banka dhe posta dhe të mund të jetojmë si të gjitha shtetet normale”, ka thënë ajo.

Ndërsa, një tjetër protestuese, e cila është prezantuar si profesoreshë, vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës e ka quajtur diskriminues dhe që sipas saj, ndikon direkt në mbijetesën e serbëve në Kosovë.

“Shtrohet pyetja se si do të blenë prindërit bukë për ushqim, si do të marrin bursa studentët, si do t’u paguhet shkollimi. Vendimi i BQK-së që thirret në të drejtë kushtetuese, a është kushtetuta ma e fortë se vetë vendimet dhe marrëveshjet që janë bërë më herët mes shteteve. Albin Kurti ka marrë vendim të njëanshëm pa bërë marrëveshje”, ka thënë ajo.

Protesta është mbyllur pas fjalimeve të përfaqësuesve serbë.

Policia e Kosovës njoftoi se protesta e serbëve në veri u përmbyll e qetë dhe pa incidente, duke thënë se pjesëmarrës ishin rreth 1.800 persona.

Në një komunikatë për media, Policia tha se protestuesit ishin nga rajone të ndryshme, që u organizuan me autobusë e vetura.

“Policia e Kosovës ç’do herë ka njohur dhe njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Protesta në të cilën kanë marrë pjesë rreth 1.800 persona, përfshirë ata të cilët nga rajone të ndryshme kanë ardhur në formë të organizuar me autobus e vetura, ka përfunduar në ora 12:30 dhe ka kaluar e qetë pa ndonjë incident”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Kryeministri Albin Kurti në një intervistë dhënë mediumit britanik “Bloomberg” të hënën, ka thënë se i qëndron Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për operacione me para të gatshme.

https://www.koha.net/arberi/409022/kurti-nuk-e-kthejme-pas-vendimin-e-bqk-se-per-dinarin/

08:08

Serbët protestojnë sot në veri

Serbët lokalë në Mitrovicë të Veriut kanë paralajmëruar protestë të hënën, për të kundërshtuar vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e përdorimit të dinarit.

Protesta pritet të nisë në orën 12:00 nga pensionistë serbë.

Image

Zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicë të Veriut, Veton Elshani, i ka thënë shkurtimisht KOHËS se janë të përgatitur për protestën.

Image

Politikani Nexhad Uglanin, kryesues i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, vlerëson se Lista Serbe dhe Serbia janë përgjegjëse për thirrje të protestës dhe se synimi i tyre është që përsëri të ngrihen tensionet në veri të vendit.

Të dielën, kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se dinari dhe asnjë valutë tjetër nuk është ndaluar, por që pagesat duhet të kryhen me euro.

Ai ka thënë se nëpërmjet Rregullores së BQK-së po luftohet kriminaliteti.