Arbëri

Vetëm para 8 ditëve Prokuroria pranoi kallëzimin penal nga Policia për këmbësorin që vdiq para 2 muajve

Descriptive Text

Foto: Ilustrim

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se vetëm më 31 janar të këtij viti ka pranuar kallëzimin penal nga Policia për rastin ku një këmbësor u godit për vdekje nga një veturë në Prishtinë.

Rasti kishte ndodhur më 2 dhjetor të vitit të kaluar në rrugën “Bill Clinton” në Prishtinë.

“Bëjmë të ditur për opinionin publik se nga dita kritike kur ka ndodhur rasti, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka qenë në pritje të kallëzimit penal nga policia, derisa më 31 janar 2024, e ka pranuar të njëjtin dhe i është ndarë prokurorit përkatës, i cili është duke e trajtuar këtë çështje penale”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për KOHËN.

Vajza e viktimës Ferhat Bejtullahu, Sihana, të mërkurën kishte thënë se po manipulohen provat dhe se shoferi që e goditi babanë e saj për vdekje është në liri.

“U kam shkruar të gjitha institucioneve, duke filluar nga Kryeprokurori i Shtetit, Kryeprokurori i Prishtinës, prokurores së rastit, policit dhe po ashtu kam dërguar ankesë tek Inspektorati Policor për sjelljen e padinjitetshme dhe joprofesionale të policit të rastit”, ka thënë Bejtullahu.

E të enjten ajo nëpërmjet postimit në Facebook ka thënë se është ftuar nga Kryeprokurori i Prishtinës për takim të enjten.