Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

AGK-ja kërkon nga Policia ta hetojë sjelljen e mbrojtjes së afërt të Kurtit ndaj gazetares Dalloshi

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka dënuar sjelljen e mbrojtjes së afërt të kryeministrit Albin Kurti ndaj gazetares së “TV Klan”, Blerta Dalloshi-Berisha.

AGK-ja e ka publikuar fotografinë ku shihet pengimi i gazetares nga mbrojtja e afërt, për çka sipas AGK-së është i papranueshëm dhe ndikon në rritjen e pasigurisë për komunitetin medial.

“Në videon e publikuar nga kolegia, Dalloshi – Berisha, shihet një nga pjesëtarët e mbrojtjes së afërt duke kapur dhe shtyrë nga dora gazetaren, teksa ajo përpiqet ta bëjë një pyetje për kryeministrin. Maltretimi në formë të tillë i gazetarëve është i papranueshëm, dhe ndikon në rritjen e pasigurisë për komunitetin medial në Kosovë”, thuhet në njoftim.

AGK-ja më tej ka kërkuar nga Policia që të hetojë sjelljen e personit në fjalë dhe gjithashtu nga kryeministri që të dënojë këtë sjellje dhe të mundësojë që gazetarët të bëjnë pyetjet në interes të publikut.

Dalloshi-Berisha e ka publikuar videon duke thënë se përgjatë 22-vjetëve të saj si gazetare, asnjëherë nuk ka pasur përvojë të tillë me mbrojtje të afërt të kryeministrave, si kjo me ata të Kurtit.

“Është hera e dytë që më (sulmojnë) pengojnë në kryerje të detyrës por kjo e sotmja është kulmi. Shihet në video sjellja e tyre derisa dora e djathtë ende po më dhemb. Kapja e mikfrofonit nga ana e tij që rezultoi edhe me ndaljen e kamerës është sikurse unë me I marrë armën atij. Mos të harrojmë me atë mikrofon kam raportuar dhe informuar popullin për të gjitha të mirat dhe të këqijat e të gjitha qeverisjeve e vitet e fundit më së shumti nga Mitrovica. Sjellja e sotme ishte për turp”, ka shkruar ajo.

Edhe Gazetarja Dalloshi paraqet ankesë kundër vendimit mbi rastin ndaj mbrojtjes së afërt të Kurtit Arbëri Gazetarja Dalloshi paraqet ankesë kundër vendimit mbi rastin ndaj mbrojtjes së afërt të Kurtit

Për sulmin ndaj gazetares Berisha kanë reaguar edhe nga opozita. Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se indiferenca e kryeministrit karshi sulmit është më e rrezikshme se vetë sulmi.

“Kjo mendësi e rrezikshme nuk duhet të ketë vend në një demokraci”, ka shtuar ajo.