Për Presidencën e Kosovës është e mjaftueshme që mazhoranca dhe opozita e kanë parë draftstatutin, për t’i nisur konsultimet rreth përmbajtjes së tij. Por, në këtë institucion nuk kanë treguar se cilat janë shqetësimet që presidentja Vjosa Osmani synon t’i trajtojë në takimet e paralajmëruara me përfaqësues të subjekteve politike. E njohës politikë kanë kritikuar Presidencën dhe Qeverinë për jotransparencë në këtë proces
Presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar takime me partitë opozitare në lidhje me draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ani pse opinioni kosovar ende nuk e di përmbajtjen zyrtare të dokumentit.
Në Presidencë e shohin të arsyeshme debatin vetëm me partitë politike, të cilat tashmë janë deklaruar se e kanë parë draftin.
“Si opozita ashtu edhe mazhoranca tanimë e kanë draftin, prandaj është e arsyeshme që të ketë diskutime dhe shkëmbime mendimesh e qëndrimesh për çështje që janë të interesit nacional”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Osmani.
Takime të tilla janë zhvilluar edhe në të kaluarën, por nuk është se kanë prodhuar konsensus mes spektrit politik rreth Asociacionit dhe dialogut në përgjithësi. Megjithëkëtë, Kupina ka thënë se “ne mendojmë se takimet prodhojnë rezultate pozitive”.
Osmani po ashtu ka përmendur më herët se ka disa shqetësime rreth draftstatutit të cilat do të diskutohen me partitë. Ajo ka paralajmëruar se komentet e saj do t’i deponojë kur drafti t’i shkojë për interpretim Gjykatës Kushtetuese.
“Në momentin që dokumenti shkon në Gjykatën Kushtetuese, siç është paraparë në vetë draftstatutin, si presidente e vendit do t’i dërgoj komentet të cilat kanë për qëllim që ky draft të eliminojë disa prej këtyre paqartësive”, ka thënë Osmani një ditë më herët.
Njohës të zhvillimeve politike thonë se, mungesa e komunikimit mes spektrit politik dhe jotransparenca kanë ngritur shumë dilema rreth draftstatutit.
“Izolimi dhe mostransparenca e shfaqur veçanërisht ditëve apo javëve të fundit ka krijuar tek opinioni publik sikur ky draft i statutit të Asociacionit është më i dëmshmi i proklamuar ndonjëherë nga institucionet e Republikës së Kosovës. Madje edhe po të mos ishte i tillë, vetë kjo mostransparencë e Qeverisë dhe Presidencës ka lënë të nënkuptohet se praktikisht ky draft i Asociacionit është jashtëzakonisht i dëmshëm dhe nuk është më as pushtet i tretë apo i katërt, por është një sistem paralel i cili i vihet Republikës së Kosovës dhe krijon njëfarë qasje edhe më negative se ka qenë më herët për realizimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë”, ka thënë analisti Arbnor Sadiku.
Rëndësia e arritjes së konsensusit të brendshëm shpesh është përmendur edhe nga diplomatët e huaj dhe ndërmjetësit në dialog. Por sipas Kupinës, “nuk ka qenë kërkesë e BE-së asnjëherë që të realizohen takime të tilla”.
Më 21 tetor emisarët euro-amerikanë e sollën në Prishtinë propozimin për draftstatutin e Asociacionit, detajet e të cilit nuk janë shpalosur ende. Në takimet që pasuan në Bruksel me përfaqësues të BE-së, kryeministri Albin Kurti është shprehur i gatshëm të nënshkruajë “modelin evropian” për Asociacionin, krahas dokumentit bazë dhe Aneksit për zbatimin e tij, të arritur në Ohër më 18 mars. Por, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, refuzoi ta bëjë këtë.
Mungesa e zbatimit nga ana e Serbisë
Presidenti serb e ka përsëritur se nuk do t’i zbatojë të gjitha pikat e marrëveshjes, të cilat ia forcojnë subjektivitetin ndërkombëtar Kosovës, sikurse është anëtarësimi në organizata, si dhe njohja e dokumenteve të shtetësisë.
“Pas Ohrit kam dalë dhe kam thënë qartë se çfarë pranojmë dhe çfarë nuk mund të pranojmë, sepse edhe deklarata ime gojore është një deklaratë eksplicite – qëndrimi i shtetit dhe ju nuk mund ta kaloni atë. Veç kësaj, deputetëve në Kuvendin Popullor u thashë se nuk bëhet fjalë për pranimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Me këtë i njoftova francezët, gjermanët, italianët, të gjithë evropianët, të gjithë amerikanët”, ka thënë Vuçiqi në një intervistë për televizionin “Nin”.
Ai ka folur për mundësinë që zbatimi i marrëveshjes të bëhet obligative për Serbinë në marrëdhënien kontraktuale që ka me Bashkimin Evropian.
“Ekziston si një mundësi, disa prej tyre e dëshirojnë. Nuk më takon mua të them tani se cilat dy vende po e shtyjnë fort, nuk jam i sigurt nëse e duan edhe të tjerët, kështu që do të shohim”, ka deklaruar ai.
Televizioni “N1” në Serbi ka raportuar se Këshilli Evropian do t’i kërkojë Komisionit Evropian që “urgjentisht t’i dorëzojë një propozim për ndryshime dhe plotësime në kriteret nga Kapitulli 35 i negociatave BE-Serbi, në të cilin do të përfshihej Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve me Kosovën dhe Aneksi për zbatimi e saj.
KOHA ka raportuar se Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian, në nivel të ministrave, në draftin e përgatitur për Kosovën ka shprehur pritjen që ajo të zbatojë pa vonesa obligimet nga Marrëveshja e arritur në Bruksel, Aneksi në Ohër, por edhe obligimet e tjera që dalin nga procesi i dialogut. Kjo porosi i është dhënë edhe në pjesën e draftit ku flitet për Serbinë. Drafti i konkluzioneve pritet të miratohet më 12 dhjetor.
Kompetenca e Asociacionit
Një draftstatut të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, së fundi e ka publikuar Radio Evropa e Lirë. Sipas këtij dokumenti, Asociacioni do të ketë kompetenca të plota në fushat e zhvillimit ekonomik, planifikimit hapësinor, shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes së identitetit kulturor dhe fetar.
Mes tjerash, dokumenti parasheh qartë mundësinë e mbështetjes financiare të Asociacionit nga ana e Serbisë, si dhe “një kanal efikas dhe të drejtpërdrejtë të komunikimit ndërmjet komunitetit serb të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës përmes Ministrisë së Administrimit të Vetëqeverisjes Lokale”.
Sipas Arbnor Sadikut, drafti i fundit është edhe më i rrezikshëm se dokumentet që janë nënshkruar në të kaluarën.
“Ky draft të paktën në kuptimin e narratorëve teorikë është më i dëmshmi për vetë faktin se në preambulën e tij përmend Rezolutën 1244 dhe nuk përmend gjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, kur thekson rekomandimet e saj dhe se si një draftstatut mund të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Sadiku, teksa ka listuar kompetencat e tjera që, sipas tij, shkojnë përtej rregullimit aktual kushtetues. “Është komisioni i arbitrazhit ai që s’ka qenë më herët. Çdo gjë që bie ndesh me interesin e këtyre komunave, arbitrazhi e përfaqëson Asociacionin karshi institucioneve të Kosovës. Pastaj, kthimi i refugjatëve serbë, siç e dini, këtë e ka bërë Ministria e Kthimit dhe IOM, por me këtë draft do ta bëjë Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Nuk është e vërtetë se ky asociacion po merr vetëm kompetenca të nivelit lokal, por ka edhe një grumbullim të kompetencave të nivelit të mesëm dhe nivelit qendror”.
Në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar shkelje në Marrëveshjen që përmban parimet mbi të cilat duhet të themelohet Asociacioni, duke kërkuar që përmirësimet të bëhen me rastin e draftimin të statutit.