Arbëri

Kosova rrezikon anëtarësimin në KiE nëse nuk i adreson gjetjet e raportit

Përfaqësues të shoqërisë civile që veprojnë në kuadër të Këshillit të Evropës kanë thënë se nëse Kosova nuk i adreson gjetjet e ekspertëve deri në raportin e radhës, atëherë rrezikon seriozisht anëtarësimin në këtë organizatë. Derisa në qeveri nuk kanë ofruar sqarime lidhur me gjetjet e raportit që konstaton ndërhyrje në drejtësi e moszbatim të vendimeve të gjykatave, ata të shoqërisë civile thonë se dokumenti evidenton gjendjen reale në terren

Gjetjet e raportit të ekspertëve të Këshillit të Evropës në fushën e sundimit të rendit e ligjit mund t’ia vështirësojnë Kosovës rrugëtimin për t’u bërë pjesë e kësaj organizate, në të cilën deponoi aplikimin për anëtarësim më 12 maj. Veç përshtatjes së infrastrukturës ligjore me standardet evropiane, Kosova në shumë pika kritikohet për moszbatim të vendimeve e ndërhyrje politike në gjyqësor.

Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që veprojnë në selinë e Këshillit të Evropës në Strasburg kanë thënë se ka pasur dëshpërim me publikimin e raportit, ani pse qëndrojnë gjetjet e konstatuara nga juristët e kësaj organizate.

“Ne i kemi takimet e rregullta me Këshillin e Evropës jo vetëm për çështjet e Ballkanit por edhe për Ukrainën, të cilat zhvillohen në kuadër të aktiviteteve për të drejtat e njeriut. Shumica e njerëzve të vullnetit të mirë që punojnë në Këshillin e Evropës dhe angazhohen për anëtarësimin e Kosovës, në një variant janë të dëshpëruar me raportin që ka dalë”, ka thënë Isuf Halimi nga Qendra Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR). “Njëkohësisht të gjithë mekanizmat e Këshillit të Evropës që punojnë në Kosovë, sikurse çështja e të drejtave të minoriteteve apo të drejtave të njeriut, kanë qenë më pozitivë dhe kanë pritur një raport shumë më pozitiv sesa ky që ka dalë. Por është një raport shumë korrekt dhe nuk e di a ka mundësi ta kundërshtojë Qeveria e Kosovës sepse është i shkruar dhe raportuar në bazë të të dhënave konkrete të cilat i ka Këshilli i Evropës. Por mos të harrojmë se ky raport nuk ka dalë vetëm prej dy apo tri vizitave që i kanë pasur në Kosovë. Ky raport është rezultat i shumë vjetëve e aktiviteteve me të cilat Këshilli i Evropës është aktiv në Republikën e Kosovës”.

Sipas Halimit, ndoshta Qeveria e Kosovës nuk ka edhe kapacitete për implementimin e vendimeve të gjykatave, por kjo situatë, siç ka thënë ai, do ta vështirësojë punën kur Kosova të bëhet pjesë e gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut.

nuk ka kapacitete apo nuk respektohen vendimet e gjykatave nacionale çka do të ndodhë me Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, sa do të jetë e aftë Kosova për implementimin e vendimeve të kësaj gjykate dhe cilat janë fazat që do t’i aplikojë në zbatimin e vendimeve”, ka potencuar Halimi.

Në Raportin mbi përshtatjen e sistemit ligjor të Kosovës me standardet e Këshillit të Evropës, Kosova portretizohet si vend që nuk i respekton vendimet e gjykatave e as marrëveshjet ndërkombëtare. Dokumenti është përpiluar nga ekspertët e këtij institucioni, të cilët qëndruan në Kosovë më 24 shtator, ditën kur ndodhi sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit. Kjo e dhënë përmendet edhe në raportin e ekspertëve duke e ndërlidhur me mungesën e zbatimit të marrëveshjes së vitit 2013, për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

“Vizita jonë në Kosovë u zhvillua në një moment tensionesh të shtuara. Mungesa e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 për sa i përket krijimit të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë konsiderohet të jetë një pengesë kryesore në rrugën e rikthimit të besimit. Në këtë sfond, në korrik të vitit 2022, Qeveria e Kosovës njoftoi se targat e makinave serbe nuk do të pranohen më dhe se përdorimi i targave të Kosovës do të bëhet i detyrueshëm. Edhe nëse hyrja në fuqi e këtij vendimi do të shtyhej më vonë, ai çoi në protesta të dhunshme dhe bllokime të rrugëve nga serbët e Kosovës në veri. Si kundërpërgjigje, Kosova vendosi forca speciale policore, ndërsa Serbia mobilizoi ushtrinë pranë kufirit”, thuhet në raport.

Avokatët e Këshillit të Evropës kanë evidentuar të mos kenë parë vullnet nga ana e Qeverisë për themelimin e Asociacionit. Ekzekutivi është kritikuar edhe për përdorim të tepruar të forcës policore gjatë tensioneve në veri. Sa i përket aktgjykimit që ia njeh Manastirit të Deçanit pronësinë mbi 27 hektarë të kësaj komune, sipas raportit ai jo vetëm që nuk gjen zbatim prej vitit 2016, “por kritikohet ashpër nga bartësit e funksioneve të larta politike”.

E Halimi vlerëson se pa përmbushjen e këtyre obligimeve deri në raportin e radhës, Kosova vështirë se mund të anëtarësohet në këtë mekanizëm.

“Nëse edhe raporti i dytë del me vlerësime negative kryesisht në sundimin e ligjit dhe respektimin e vendimeve të gjykatave, Kosova rrezikon që të mos anëtarësohet në Këshillin e Evropës në Strasburg. Nëse Kosova nuk e arrin qëllimin e vet që të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, është një përfitim i madh për Serbinë e cila po bënë një lobim të fuqishëm kundër këtij vendimi dhe kundër aktiviteteve të Kosovës”, ka theksuar Halimi. “Por nuk duhet harruar se Kosova nuk ka strategji, nuk ka plan të veprimit, nuk kanë bashkëpunim mes vete instrumentet qeveritare, ministritë apo institucionet e tjera”.

Në Qeverinë e Kosovës nuk janë deklaruar rreth gjetjeve të raportit dhe rruga që do të ndiqet për adresimin e tyre. E Halimi i ka kritikuar institucionet për mungesë koordinimi e mosbashkëpunim me shoqërinë civile, e cila do të mund të kontribuonte në lobimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Këtu ka edhe mungesë koordinimi mes Ambasadës së Kosovës në Strasburg dhe Qeverisë së Kosovës. Ambasada në Strasburg është e mbyllur për përfaqësuesit e shoqërisë civile, Ministria e Jashtme është e mbyllur po ashtu. As Ambasada, as Ministria e Punëve të Jashtme nuk kanë asnjë bashkëpunim me shoqërinë civile në Strasburg ose Bruksel, asnjë kontakt nuk kanë me asnjë organizatë ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, as me rrjetin e avokatëve që janë pjesë e Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut. Ne pasi kemi insistuar që të krijojmë rrjetin ose partneritetin me Ambasadën ose Ministrinë, e kemi parë se nuk janë të interesuar dhe nuk kanë informata të mjaftueshme për rolin e partneritetit me shoqërinë civile. Pra, partneriteti mes qeverisë dhe shoqërisë civile është bazë për Këshillin e Evropës”, ka thënë Halimi.

Pas deponimit të aplikimit më 12 maj të vitit të kaluar, liderët institucionalë në disa raste e kanë marrë punë të kryer anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Raporti i ekspertëve do t’i shërbejë Asamblesë Parlamentare në hartimin e opinionit për Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës.

Nga 46 shtete anëtare sa janë në Këshillin e Evropës, për pranimin e Kosovës është e domosdoshme mbështetja prej dy të tretave.

Shpresat e Kosovës për pranim ishin shtuar pas përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës.

Në kuadër të Këshillit vepron Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, së cilës mund t’i drejtohen qytetarët pasi t’i kenë shteruar mjetet juridike në nivel kombëtar.