Arbëri

Sindikata e minatorëve: Menaxhmenti i “Trepçës” ka rreth 80.000 mijë euro obligime ndaj nesh

Trepça

Sindikata e pavarur e minatorëve të "Trepçës" ka thënë se menaxhmenti i "Trepçës" i ka rreth 80.000 mijë euro obligime ndaj Sindikatës së Minatorëve të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, kjo sindikatë ka thënë se tash e sa vjet menaxhmenti i Ndërmarrjes "Trepça" është duke e penguar aktivitetin sindikal të Sindikatës së Minatorëve të Kosovës në forma të ndryshme, sipas sindikatës, duke filluar nga përndjekjet, shantazhet, presionet, kërcënimet, suspendimet, largimet nga puna dhe format tjera.

Sipas njoftimit, një formë tjetër pengimit të veprimit sindikal dhe përpjekjes për të zhbë sindikatën është ndalesa e kuotizimit apo anëtarësisë sindikale, duke penguar dhe pamundësuar aktivitetin sindikal vazhdimisht.

“Si rezultat i mostransferimit të këtyre mjeteve për disa vite obligimi tanimë duhet të jetë rreth 80.000 mijë euro. E tmerrshme. Këto janë mjete të cilat ne i paguajmë nga paga jonë, me djersen e ballit dhe të njëjtat nuk na i transferojnë në llogarinë sindikale. Me tendencën e vetme përndjekjen e sindikalistëve, largimin e tyre nga sindikata dhe njëherit zhbërjen e saj. Turpi ju mbuloftë. Ju se keni idenë se çka është as demokratike e as ligjore. Por ta dini se 'Trepça' nuk është pronë e bordit e as e një menaxhmenti total të padijshëm”, thuhet në reagim.

Sindikata ka thënë se "Trepça" si shoqëri aksionare, parasëgjithash është e minatorëve dhe qytetarëve dhe sipas tyre keshtu do të mbetet gjithmonë.

“Ne ju njoftojmë dhe bëjmë thirrje që nëse brenda afatit një javor nuk paguhet vlera e plotë e kuotizimit sindikal (që është paguar nga djersa jonë/ nga gjepi ynë/nga kafshata e familjeve tona), ne do të ndërmarrim të gjithë hapat demokratik për të realizuar këtë të drejtë”, thuhet në njoftim.