3 perditesime
20:43

Spahiu për marrëdhëniet me Shqipërinë: Në Kosovë është importuar inferioriteti

Analisti Nexhmedin Spahiu ka thënë se Dita e Flamurit në Kosovë do të duhej të festohej kur Avni Boletini e ka ngritur flamurin në veri.

Spahiu ka thënë se ndryshimi i qëndrimit të kryeministrit Albin Kurtit për bashkim kombëtar është pozitiv.

Ai ka thënë se me idenë e bashkimit kombëtar, Kurti i ka mashtruar “ata që kanë dashur të mashtrohen”.

“Kur i mashtron ata që duan të mashtrohen e që nuk janë në tokë të bukës, duhet duartrokitur”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Kurti dhe Rama u kanë treguar qytetarëve se s’mund të ketë bashkim shqiptar.

Sipas tij “Rama ua ka treguar kufirin kosovarëve”.

Spahiu ka thënë se 64 për qind e sondazheve e njohin kombin kosovar.

“Në Kosovë është imponuar inferioriteti. Problematike në filmin ‘Nëntori i dytë’ është kur Isa Boletini i përkulet Ismail Qemalit. Kjo nuk ka qenë aspak e dobishme. Askund në botë komunizmi nuk ka qenë i dobishëm. Një diçka që është krijuar në atë kohë për poshtërimin e kosovarëve, është e papranueshme. Nuk duhet helmuar edhe brezat e ri”, ka thënë ai.

20:36

Dermaku për Kurtin: Qytetarët e kanë kuptuar se kanë përballë një mashtrues

Kryeredaktorja e “Periskopit”, Dafina Demaku e ka quajtur mashtrues kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ajo ka thënë se Kurti është ngritur mbi temën e bashkimit kombëtar dhe kundër “Zajednicës”, ndërsa tash po flet për “Zajednicën” dhe nuk po bën asgjë për bashkim kombëtar.

“Albin Kurti çdoherë ka ngjallë apo ka lexueshmëri. Por, kur shikova në mëngjes lajmet më të lexueshme, nuk ishte vizita e tij në Vlorë. Kjo po ndodh, pasi lexuesit e qytetarët e kanë kuptuar se përballë kanë një figurë që është mashtrues në sytë e tyre. Është person që është ngritur mbi temën e bashkimit kombëtar e kundër Zajednicës. Është personi që flet tash për ‘Zajednicën’ e gjen prehje te Kushtetuta e Kosovës, për të thënë se është i pamundur bashkimi kombëtar. Njerëzit bari nuk hanë”, ka thënë Demaku në “Konfront” të KTV-së.

20:29

Gjinovci: Nëse do të kishte një komb shqiptar, qendra do të duhej të ishte Kosova

Analisti Rron Gjinovci ka thënë se i vjen keq për kosovarët që ndihen inferiorë ndaj njerëzve nga Shqipëria.

Sipas tij, ky është një kompleks që shihet te shumica e njerëzve.

Gjinovci ka thënë se disa njerëz në Kosovë ndihen keq të thonë se janë kosovarë, duke shtuar se mendojnë se është akt i tradhtisë.

Ka shtuar se qytetarët e Shqipërisë nuk e dinë datën e pavarësisë së Kosovës dhe nuk kanë as informata tjera për vendin.

“Mua më lindin këto dëshira nga dhimbja. Krejt këngët nacionaliste dhe kombëtare janë të Kosovës. Nëse do të ketë një komb shqiptar, qendra e saj do të jetë Kosova. Kjo nuk është e mundshme me ndodhë, por nëse do të ndodhte, atëherë do të duhej të ishte Kosova”, ka thënë ai.

20:21

Sopi: Kosova dhe Shqipëria kanë identitete të ndryshme

Analisti Agim Sopi duke komentuar vizitën e kryeministrit Albin Kurti në Tiranë për 28 Nëntor ka thënë se kjo është folklor.

Sipas tij Kurti me kryeministrin Edi Rama është dashur të bashkohen në ditën kur është përgatitur plani franko-gjerman.

Ka shtuar se Rama pavarësisht që mund të mos ketë afeksion me Kosovën, të dyja vendet kanë shumë të përbashkëta me njëra-tjetrën, por që sipas tij, kanë krijuar identitete të ndryshme.

“Ne kemi krijuar identitete të ndryshme, fatkeqësisht. Unë kam jetuar e ligjëruar në Shqipëri. E njoh shumë thellë botën shqiptare andej. Nëse SHBA-ja vendos që të bashkohet Kosova dhe Shqipëria, pas 6 muajve do të niste lufta qytetare, si pasojë do të kishim ndarjet e jugut nga pjesa e Shqipërisë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë dallimet mes toskës dhe gegës në Shqipëri janë shumë të mëdha.

Sopi ka thënë hendeku më i madh është toskë e gegë sesa Kosovë-Shqipëri.