Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

400 mijë euro për ndërtimin e QKMF-së në Mamushë

Miratimi i Ligjit për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019, sipas lidershipit komunal të Mamushës dhe deputetëve të KDTP-së, komunës së vetme me shumicë turke në Kosovë, do t’i mundësojë shtimin e personelit në drejtori të ndryshme komunale, ndërtimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, sikurse edhe investime në projekte të mirëqenies sociale. Madje, sipas tyre, për ndërtimin e godinës së QKMF-së në Mamushë janë planifikuar 400 mijë euro.

Deputeti i KDTP-së, Fikrim Damka, ka pohuar se miratimi i Ligjit për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019 gjatë fundjavës në Kuvendin e Kosovës mundëson që Komuna e Mamushës dhe komuniteti turk të vazhdojnë të kenë vëmendjen e duhur financiare.

“Komuna e Mamushës vazhdon që ta marrë mbështetjen e duhur në buxhet në saje të angazhimeve të deputetëve të KDTP-së”, është shprehur ai, në rrjetet sociale. Tutje ka sqaruar se falë insistimit të ligjvënësve të komunitetit turk është arritur që Komuna e Mamushës në këtë vit të punësojë edhe 14 persona, në dikastere të ndryshme komunale. Damka ka bërë të ditur se 8 punonjës do të angazhohen në sektorin e shëndetësisë, 4 në sektorin e arsimit dhe 2 inxhinierë në shërbimet publike të Mamushës.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)