Arbëri

40 shtëpi të një lagjeje në Mitrovicë të palidhura me rrjetin energjetik

Lagjja e sapondërtuar për familjet në nevojë në Frashër të Mitrovicës, për më shumë se dy muaj nuk është lidhur me rrjetin elektrik. Banorët e kanë të pamundur të jetojnë pa asnjë pajisje elektrike. E përfaqësues të KEDS-it thonë se punimet për lidhjen e këtyre shtëpive me rrjetin elektrik do të nisin javën e ardhshme dhe se e gjithë kjo do të jetë donacion, meqë sipas tyre, puna është dashur të kryhet nga organizata që e ndërtoi lagjen – “Qatar Charity”

Fejzullah Ibrahimi blen produkte ushqimore vetëm sa mund të konsumojë familja për një ditë.

Ai dhe fqinjët të tij në një lagje të sapondërtuar në Frashër të Mitrovicës, tash e dy muaj e gjysmë janë pa furnizim me energji elektrike.

Lagjja me 40 shtëpi, donacion i “Qatar Charity”, nuk është e lidhur me rrjetin elektrik.

“Qe dy muaj e gjysmë nuk kemi rrymë, kështu po mbesim gjallë. Më e keqja është për shkak të zhegut, të gjitha produktet ushqimore po duhet t’i konsumojmë menjëherë, specat, domatet. Vetëm të mbesim gjallë... ne po jetojmë sikur para 150 vjetëve”, ka thënë Ibrahimi.

Në lagje, vetëm 20 shtëpi po shfrytëzohen, ndërsa 20 të tjera pritet të popullohen posa ajo të lidhet me rrjetin energjetik.

Familjeve në nevojë u janë dhënë shtëpitë në shfrytëzim për dy vjet.

Drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Mitrovicë të Jugut, Edison Tërnava, ka thënë se komuna i ka kryer të gjitha procedurat administrative dhe se tash e gjitha është në duart e KEDS-it.

“Ata si institucion i kanë procedurat e veta juridike. Ne çdo ditë iu kemi qasë që sa më shpejt të trajtohet ajo lagje që sa më shpejt të lidhet me rrymë, ujin e pijshëm e kanë të rregulluar”, ka thënë Tërnava.

E zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi, ka thënë se punimet do të fillojnë së shpejti dhe se lidhja me rrjetin elektrik do të jetë donacion për këta banorë.

“Ndërkaq për më shumë se dyzet shtëpitë e tjera, donacion i shoqatës “Qatar Charity”, KEDS-i planifikon t’i nisë punimet për furnizim me energji elektrike javën e ardhshme. Punimet përfshijnë rrjetin nëntokësor, ormanët, njehsorët elektrikë dhe rritjen e kapacitetit të transformatorit ekzistues. Sa për informim, sipas rregulloreve në fuqi, është përgjegjësi e donatorëve, në këtë rast shoqatave bamirëse, që të realizojnë investimin edhe në kyçen e shtëpive në rrjetin elektrik. Rrjedhimisht, këto dy projekte për kyçje në rrjetin elektrik të familjeve në nevojë të këtyre dy lagje janë donacion i KEDS-it”, ka thënë Krasniqi..

KOHA ka provuar të kontaktojë me përfaqësues të organizatës “Qatar Charity”, mirëpo ata nuk ishin të qasshëm.