Arbëri

DASH thotë se nuk i ka verifikuar raportet se Serbia ka tërhequr trupat nga kufiri me Kosovën

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka thënë se nuk i ka verifikuar raportimet se Serbia ka tërhequr trupat nga kufiri me Kosovën.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në intervistë për “CNN” sonte ka thënë se Serbia ka ulur në 4400 numrin e trupave në afërsi të kufirit me Kosovën, nga 14 mijë sa ishte vitin e kaluar.

Zëdhënësi i DASH-it, Mathew Miller, ka thënë se nuk i ka të verifikuara këto raportime.

“Ne kemi parë rritje të forcave serbe në kufi. Sa i përket nëse po ulet numri që nga e premtja. Kemi parë raporte, por nuk i kemi verifikuar”, ka thënë Miller në një konferencë për media.

Kur është insistuar nga gazetarja Ksenija Pavloviq, nëse presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka autorizuar një deklaratë të tillë të DASH-it të premten, Miller ka thënë se nuk do të flasë për bisedimet e brendshme, porse “kemi besim në atë që e themi”.