LAJMET E MBRËMJES

SHBA-ja e BE-ja i kërkojnë Serbisë ta heqë ushtrinë nga kufiri me Kosovën

Pas porosive që sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, të premten mbrëma ia ka përcjellë presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, shqetësimin për dislokimin e trupave ushtarake pranë kufirit e ka shprehur nëpërmjet një komunikate edhe Shtëpia e Bardhë. Kërkesë të ngjashme ka bërë edhe BE-ja, e cila ka kërkuar edhe vënien para drejtësisë të përgjegjësve për sulmin terrorist në Banjskë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe vende si Britania e Madhe dhe Gjermania, i kanë bërë thirrje Serbisë që pa vonesë t’i tërheqë forcat ushtarake që i ka vendosur së fundmi në kufirin me Kosovën.

Pas porosive që sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, të premten mbrëma ia ka përcjellë presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, shqetësimin për dislokimin e trupave ushtarake pranë kufirit e ka shprehur nëpërmjet një komunikate edhe Shtëpia e Bardhë.

Në njoftimin për bisedën telefonike mes këshilltarit për siguri kombëtare në SHBA, Jake Sullivan, dhe kryeministrit Albin Kurti, është theksuar gatishmëria e SHBA-së për të siguruar që KFOR-i të ketë burimet e duhura për të përmbushur misionin e tij.

“Sullivan përcolli ngushëllimet për humbjen e policit të Kosovës të vrarë në krye të detyrës gjatë sulmeve të dhunshme të ndodhura më 24 shtator. Ai gjithashtu shprehu shqetësimin për mobilizimet ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë. “Ai vuri në dukje vendimet e fundit të NATO-s për të forcuar praninë dhe aktivitetin e forcave të NATO-s në Kosovë (KFOR), veçanërisht në veri të Kosovës, dhe nënvizoi gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar me aleatët për të siguruar që KFOR-i të ketë burimet e duhura për të përmbushur misionin e tij”.

Për bisedën me Sullivanin ka treguar edhe kryeministri Kurti, i cili tregoi se ka kërkuar ndihmë kundër planeve luftarake të Serbisë.

“Kam falënderuar Shtetet e Bashkuara për mbështetjen dhënë Kosovës në sigurinë kufitare dhe kam kërkuar ndihmë më të madhe kundër planeve luftarake të Serbisë. E kam siguruar për bashkëpunimin e vazhdueshëm të Policisë së Kosovës me KFOR-in dhe se përkushtimi ynë për t’i mbrojtur të gjithë qytetarët është i palëkundur”, ka shkruar kryeministri Kurti në platformën sociale X.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, e cilësoi të rëndësishme bisedën telefonike të kryeministrit Kurti me këshilltarin për siguri kombëtare, Sullivan. Edhe ai shprehu shqetësimin për mobilizimin ushtarak serb pranë kufirit me Kosovën.

E kontaktet dhe konsultimet në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve evropianë kanë qenë të pandërprera gjatë ditës së shtunë, por edhe gjatë natës së shkuar lidhur me situatën e fundit në Kosovë dhe rreth Kosovës.

Edhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka ndarë shqetësimin e shprehur nga administrata amerikane për shkak të grumbullimit të ushtrisë së Serbisë në afërsi të kufirit me Kosovën.

Borrelli po ashtu ka bërë thirrje që menjëherë të ulet grumbullimi i këtij kontingjenti ushtarak të Serbisë, dhe të kthehet stabiliteti dhe situata e sigurisë.

“Ne jemi në kontakt të afërt dhe të rregullt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës rreth kësaj. Sasia e armatimit e cila është gjetur javën e shkuar është shumë serioze. Në të njëjtën kohë, grumbullimi ushtarak i Serbisë në afërsi të linjës administrative kufitare është shumë shqetësues. Kjo duhet të ndalet menjëherë”, ka thënë Borrelli në një bisedë me disa media ndërkombëtare.

Ai ka shtuar se nuk ka vend në kontinentin e Evropës për grumbullim të ushtrisë dhe forcave të sigurisë, por forcat duhet të tërhiqen.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian po ashtu ka përsëritur thirrjen se kryesit e sulmit terrorist në veri të Kosovës duhet të përgjigjen para drejtësisë. Ai ka thënë se pret që të mos ketë pandëshkueshmëri për kryesit dhe se ata të përballen me drejtësinë.

Po ashtu, Borrelli ka përsëritur thirrjet për të gjithë që të kthehen në bisedime dhe të kthehen në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, i cili, sipas tij, është platforma e vetme për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Një reagim të ngjashëm dje ka pasur edhe selia e NATO-s pas një takimi të Këshillit të Atlantikut të Veriut.

Mirëpo nga NATO-ja nuk janë përgjigjur akoma në pyetjen se a ka NATO-ja informacione për grumbullimin e Ushtrisë së Serbisë në afërsi të kufirit me Kosovën.

Edhe Gjermania ka përsëritur thirrjen e ndërkombëtarëve që Serbia t’i heqë forcat ushtarake nga kufiri me Kosovën. Në një reagim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, të publikuar në platformën sociale X, bëhet thirrje që ky veprim nga Serbia të bëhet pa vonesa.

“Përshkallëzimi i mëtejmë në mes të Serbisë dhe Kosovës duhet të shmanget. Është e rëndësishme që Serbia t’i reduktojë trupat nga kufiri me Kosovën pa vonesa. Bashkë me partnerët tanë, jemi në kontakt të drejtpërdrejt me palët e përfshira. Procesi politik duhet të vazhdojë urgjentisht”, thuhet në mesazhin e Gjermanisë.

Situata në veri të Kosovës mbetet e tensionuar që kur më 24 shtator, polici Afrim Bunjaku u vra në Banjskë të Zveçanit nga një grup i armatosur serb. Në një aksion pasues, nga përplasja e Policisë me grupin e armatosur mbetën të vrarë tre sulmues. Për rastin u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan. Të premten, përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Në aksion është kapur arsenal armësh.