Arbëri

“Bild”: A po e nxit Putini luftën e ardhshme në Ballkan?

Tabloidi gjerman “Bild” ka shkruar për ngjarjet e fundit në Kosovë, dhe ndikimin që Rusia e ka në këtë mes.

Tabloidi gjerman ka pyetur nëse presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është duke nxitur një luftë të re në Ballkan.

Më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit në një sulm terrorist u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku dhe u lënduan tre policë tjerë. U vranë edhe tre sulmues.

Pas sulmeve u panë lëvizje të trupave ushtarake të Serbisë në afërsi të kufirit më Kosovën, për çfarë u tërhoq vërejtja edhe nga bashkësia ndërkombëtare, përfshirë edhe nga SHBA-ja.

Zëdhënësi për media i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, foli për “vendosje të paprecedentë të artilerisë dhe tankeve” nga ana e Serbisë në kufi me Kosovën.

SHBA-ja bëri thirrje për tërheqje të trupave, siç bëri thirje edhe Qeveria e Gjermanisë.

Anëtari i Bundestagut dhe eksperti ushtarak Roderich Kiesewetter (60, CDU), ka thënë se më në fund po kuptohet se Rusia nuk do vetëm luftë në Ukrainë.

“Duhet ta kuptojmë se Rusia nuk është e interesuar vetëm ta shkatërrojë Ukrainën, Por, synimi i kësaj lufte civile është i gjithë rendi. Rusia nxit qëllimshëm konflikte, destabilizon rajone, përdor energjinë, dëbimet, arratisjet, përdhunimet, torturat, vrasjet, rrëmbimet e fëmijëve, si armë. Rusia duhet të ndalet, në Ukrainë, në Evropë, në Afrikë dhe kudo ku ajo ka gjurmë”, ka thënë Kiesewetter.

NATO-ja në fundjavë ka miratuar shtimin e forcave në misionin KFOR.