Arbëri

Osmani shpreson që shtetet e Bashkëpunimit Islamik ta njohin Kosovën në një të ardhme të afërt

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje gjitha shteteve të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC) që ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Osmani është takuar në New York me sekretarin e përgjithshëm të OIC-it, Hissein Brahim Taha.

“Gjatë takimit, Presidentja Osmani shprehu vlerësimin për mbështetjen dhe angazhimin e vazhdueshëm të OIC-ja, veçanërisht për Rezolutën vjetore të inicuar nga OIC-ja, e cila bën thirrje për njohjen e Kosovës nga të gjitha shtetet anëtare të kësaj organizate. Në këtë frymë, presidentja shfaqi shpresën që shtetet anëtare, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë në një të ardhme të afërt. Presidentja Osmani dhe Sekretari i Përgjithshëm Taha përsëritën përkushtimin e tyre për nxitjen e marrëdhënieve më të fuqishme e produktive ndërmjet Kosovës dhe OIC-së”, thuhet nga Presidenca.

Osmani gjatë takimit ka shtruar edhe nevojën e eksplorimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme mes Kosovës dhe anëtarëve të OIC-it.

“Në takim, presidentja Osmani i bëri ftesë Sekretarit të Përgjithshëm Taha që në të ardhmen e afërt të vizitojë Kosovën për t`i shqyrtuar më tej mundësitë për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë”, thuhet nga Presidenca.