Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Presidenti zviceran: Kurti të përkushtohet që t’u garantojë serbëve shkallë adekuate të vetëmenaxhimit

Presidenti i Zvicrës, Alain Berset, ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përkushtim për të garantuar një shkallë adekuate të vetëmenaxhimit për komunat me shumicë serbe, në një takim që patën në Bern të premten.

Kurti ka udhëtuar sot për në Zvicër, ku përveç presidentit Berset, do të takohet edhe me politikanë shqiptarë të cilët po përgatiten të marrin pjesë në zgjedhjet e 22 tetorit.

Në takimin mes Bersetit dhe Kurtit, sipas komunikatës së Presidencës zvicerane, bisedimet iu kushtuan veçanërisht situatës në veri të Kosovës dhe procesit të udhëhequr nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Berset ka theksuar mbështetjen e Zvicrës për procesin e normalizimit dhe bëri thirrje për zbatimin e marrëveshjeve të negociuara në Bruksel dhe Ohër në pranverë.

“Në Serbi dhe Kosovë nevojiten hapa të besueshëm dhe pragmatizëm për ta rikthyer procesin në binarë. Prandaj, në takim u trajtuan hapat e përcaktuar në marrëveshjet që do të ndërmerren nga të dyja palët, duke përfshirë përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të garantuar një shkallë adekuate të vetëmenaxhimit për komunat me shumicë serbe”, thuhet në njoftim.

Tutje, Berset ka përsëritur se mbështet aspiratën e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin Evropës.

Edhe Kurti takohet me politikanët shqiptarë në Zvicër Arbëri Kurti takohet me politikanët shqiptarë në Zvicër

Për takimin është njoftuar edhe nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

"Kryeministrin Kurti e njoftoi presidentin Berset për zhvillimet e fundit në vend, raportet me Serbinë dhe procesin e dialogut, për rezultatet e deritanishme të qeverisjes, politikat prioritare dhe për progresin e shënuar në rrafshin ekonomik, demokratik dhe të luftimit të korrupsionit, sikurse është evidentuar edhe nga raporte kredibile ndërkombëtare për dy vite rresht. Në mesin e politikave zhvillimore në të cilat shteti i Zvicrës ka luajtur një rol të rëndësishëm pozitiv, kryeministri Kurti veçoi atë të arsimit dual i cili këtë vit akademik do të zgjerohet në gjithsej 12 profile të ndryshme, në 13 komuna dhe 21 shkolla profesionale dhe përmes së cilit synohet që të bëhet lidhja ndërmjet arsimit profesional dhe tregut të punës", thuhet ndër të tjera në njoftim.