Arbëri

MTS-ja kërkon ndalimin e hetimit ndaj saj për blerjen e operatorëve kabllorë

MTS-ja dyshohet për blerjen e operatorëve kabllorë gjatë periudhës së viteve 2019-2021. Përfaqësues të Autoritetit të konkurrencës kanë thënë se ndërmarrja ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës, duke blerë operatorë të tjerë pa i njoftuar. E ata të MTS-së kërkuan që hetimi të ndalet dhe të refuzohet kërkesa e Sekretariatit të Autoritetit

Autoriteti i Konkurrencës dhe MTS-ja kanë mbajtur seancë dëgjimore lidhur me rastin e blerjes gjatë viteve 2019-2021 të katër operatorëve kabllorë nga kjo kompani, që është degë e Telekomit të Serbisë.

Përfaqësues së Autoritetit të Konkurrencës shprehën qëndrimin se ndërmarrja ka kryer veprime në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës, duke blerë operatorë të tjerë pa i njoftuar.

Selajdin Beqa, ushtrues detyre i drejtorit në Autoritetin e Konkurrencës, ka thënë se arsyetimet nga MTS-ja për dyshimet dhe konkluzionet nuk e ndryshojnë gjendjen e konstatuar.

“Fakt i pakontestueshëm është që ndërmarrja MTS d.o.o. nuk ka vepruar në përputhje me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës, pasi që nuk ka përfillur obligimin për paraqitje të njoftimit të përqendrimit, obligim ky që bazën ligjore e ka në nenin 13 të Ligjit për mbrojtjen e Konkurrencës”, ka deklaruar Beqa.

Edhe zyrtari tjetër i Autoritetit të Konkurrencës, Shemsi Elezi, u shpreh se MTS-ja shkeli ligjin.

“Autoriteti pas monitorimit nën dyshimin e bazuar se ndërmarrja MTS d.o.o nuk ka vepruar në përputhje me ligjin për mbrojtjen e konkurrencës, për shkak se nuk ka parashtruar kërkesën për lejimin e përqendrimit, saktësisht duke u ankuar sipas dispozitave ligjore, me rastin e blerjes së ndërmarrjeve në tregun e telekomunikimit”, ka thënë Elezi, drejtor i Departamentit të mbikëqyrjes së tregut në AKK.

Ndërkohë, Kushtrim Palushi, avokati i MTS-së, kërkoi që hetimi ndaj kompanisë të ndalohet dhe të refuzohet kërkesa e Sekretariatit të Autoritetit të Konkurrencës, pasi që, sipas tij, hetimi po zhvillohet duke u bazuar në një pikë të Ligjit mbi Konkurrencën. Ai u shpreh se kjo pikë e ligjit, gjatë viteve 2019-2021, nuk ka qenë në fuqi.

“Edhe përkundër vërejtjeve dhe argumenteve tona nga dhjetori i vitit 2022 dhe deri në qershor të vitit 2023, ne prapë nuk e kemi të qartë se mbi çfarë baze Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës vendos për zbatimin e kritereve materiale të mishëruara në Ligjin e ri, i cili kishte hyrë në fuqi në vitin 2022 për transaksione për blerje të ndërmarrjeve që kanë ndodhur dy – tri edhe një vit para hyrjes në fuqi të këtij Ligji”, ka theksuar Palushi.

Kundërpërgjigja e zyrtarit ligjor të AKK-së, Avni Gjoci, ndaj argumentit të avokatit ishte se në të dyja ligjet nuk shihet ndonjë ndryshim lidhur me çështjen.

“Është e qartë se edhe me Ligjin e mëparshëm, por edhe me Ligjin e ri autoriteti nuk sheh ndonjë ndryshim lidhur me çështjen se a vihet në domenin çështja e transaksionit nga ana e ndërmarrjes MTS d.o.o”, u shpreh Gjoci.

E drejtori i MTS-së, Dejan Ognjanoviq, theksoi se kompania që, sipas tij, vepron bazuar në legjislacionin kosovar, nuk e ka parë të obligueshëm njoftimin për blerjet, pas konsultimit të ligjeve.

“Ne kemi analizuar të gjitha ligjet dhe kemi ardhur në konkluzion se nuk kemi pasur obligim për njoftim sipas këtyre ligjeve. Pritjet tona janë që Autoriteti i Konkurrencës t’i zbatojë si duhet dispozitat ligjore, si i zbaton edhe MTS-ja”, ka thënë Ognjanoviq.

Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës më 25 nëntor 2022 ka nxjerrë konkluzionin për fillimin e procedurës hetimore ndaj MTS-së, shkaku i dyshimit të bazuar se ka realizuar shitblerje të aksioneve me qëllim të përfitimit dhe kontrollit mbi ndërmarrjet e caktuara në tregun përkatës të Kosovës.

Kjo kompani hyri në sistemin e Kosovës më 2015, në përputhje me Marrëveshjen për Telefoninë të arritur në kuadër të dialogut të Brukselit. Ajo ofron shërbime të telefonisë, të internetit e kabllorit në komunat me shumicë serbe.