Arbëri

Edhe Leposaviqi e Zubin - Potoku votojnë pro anëtarësimit në Asociacionin e Komunave të Kosovës

Kuvendi Komunal i Leposaviqit dhe ai i Zubin-Potokut kanë votuar pro anëtarësimit të këtyre komunave në Asociacionin e Komunave të Kosovës.

Leposaviqi këtë vendim e ka marr në një seancë të mbajtur të enjten. Kjo është bërë e ditur nga nënkryetari i Vetëvendosjes në Mitrovicë të Veriut, Alban Uka.

“Në këto momente në Kuvendin Komunal të Leposaviqit përmes votimit pa asnjë kundërshtim u votua që Komuna e Leposaviqit t'i bashkohet Asociacionit të Komunave të Kosovës! Na priftë e mbara!”, ka shkruar Uka në Facebook.

Ai gjithashtu ka njoftuar se një vendim i tillë është marr edhe nga Kuvendi i Zubin-Potokut. "Pas Komunës së Leposaviqit edhe Komuna e Zubin Potokut i bashkohet Asociacionit të Komunave të Kosovës, përmes votimit që sapo ndodhi në Kuvendin Komunal të Zubin Potokut", ka shrkuar Uka.

Sipas procedurave vendimet e kuvendeve komunale do të dërgohet në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, për vlerësim të ligjshmërisë dhe pastaj pritet të dërgohet tek Asociacioni i Komunave të Kosovës për shqyrtim.

Mitrovica e Veriut është anëtarësuar në Asociacionin e Komunave të Kosovës më 22 gusht.