Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas paraqitjes së këngëtares Rita Ora në Hungari me flamur të Serbisë në skenë.
Çitaku ka thënë se këngëtarja me origjinë kosovare është një prej artistëve që ka bërë shumë për ta promovuar Kosovën, edhe aty ku diplomacia e ka pasur të pamundur.
“Rita, nuk ka lënë t’i ikë asnjë mundësi për të promovuar Kosovën. Për të treguar historinë tonë. Në secilën intervistë dhe paraqitje ka folur për ne. Për rrënjët e familjes prej nga vjen. Faleminderit Rita”, ka shkruar ajo në Facebook.
Reagime në mbrojtje të këngëtares pati edhe nga shoqëria civile e artistët vendorë.
Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës dhe i gjithë kori diplomatik prej vitit 2019 e tutje nuk kanë mundur ta promovojnë Kosovën e Shqipërinë më shumë se Rita Ora e Dua Lipa përmes skenës.
“Rita Ora gjatë koncertit është dashur ta ndalë performancën, ta bëjë një analizë gjeo-strategjike se cilin flamur e ka në dorë, dhe ta bëjë një fjalim politik në koncert pastaj të vazhdojë performancën. MPJ-ja dhe krejt kori diplomatik i Kosovës prej 2019 e këndej së bashku s’e kanë promovu Kosovën dhe Shqipërinë më shumë se Rita Ora dhe Dua Lipa vetëm”, ka shkruar ai.
Ndërsa aktori Fatmir Spahiu, ka thënë se Rita Ora është artiste e madhe që nuk mund t’i njohë flamujt e shteteve të vogla.
“Reagimi i saj kur e sheh një bashkëvendase të saj në një talent show në Australi është i barasvlershëm me golat e Shaqirit dhe Xhakës kundër Serbisë”, është shprehur ai.