Arbëri

KFOR-i mirëpret vendimin për reduktimin e Policisë rreth ndërtesave komunale në veri

Veri

KFOR-i përmes një komunikate për media ka thënë se mirëpret vendimin e institucioneve në Kosovë për të reduktuar praninë e Policisë së Kosovës rreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës.

KFOR-i ka deklaruar se vendimi i marrë në një takim teknik të mbajtur nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i, është një hap i rëndësishëm drejt de-përshkallëzimit të tensioneve dhe promovimit të dialogut. Megjithatë, KFOR-i ka mohuar se ka qenë i përfshirë në vlerësimin e situatës së sigurisë, ashtu siç ka pretenduar njoftimi i Policisë së Kosovës dje. KFOR-i ka qartësuar se në vlerësimin e situatës së sigurisë ka qenë i përfshirë vetëm EULEX-i dhe Policia e Kosovës. 

“Në këtë drejtim, KFOR-i pajtohet se ka pasur një përmirësim të situatës së sigurisë në zonë, por është e rëndësishme të sqarohet se pikëpamja jonë nuk është rezultat i një aktiviteti të përbashkët vlerësues. Një vlerësim i përbashkët, në fakt, është një procedurë e ndryshme që kërkon veprime specifike, disponueshmëri të të dhënave dhe vlerësime sistematike në të cilat roli i KFOR-it, siç është rënë dakord ndërmjet NATO-s dhe BE-së, duhet të konsiderohet vetëm si i përshtatshëm dhe t'i nënshtrohet miratimit të komandantit të KFOR-it”, thuhet në njoftim.

Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO-ja ka thënë se e mbështet plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe mbetet në kontakt dhe koordinim të ngushtë me të gjithë bashkëbiseduesit vendorë dhe ndërkombëtarë.