Arbëri

Gjykata refuzon që për vrasjen e Ivanoviqit të merren si prova “dosjet” e ministrit serb

 

Në rastin ku gjashtë persona po akuzohen për vrasjen e politikanit serb të Kosovës Oliver Ivanoviq, avokati i njërit prej tyre ka kërkuar që si prova të merren dosjet, që ministri i Serbisë, Bratislav Gashiq, tha se i ka për këtë krim të kryer më 2018 në Mitrovicë. Trupi gjykues e refuzoi këtë kërkesë

Në rastin ku po akuzohen gjashtë persona për krim të organizuar lidhur me vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq, është propozuar që të kërkohen prova edhe në Serbi.

Avokati i të akuzuarit Nedeljko Spasojeviq, Faruk Korenica, propozoi që gjykata t’i kërkojë në Serbi dy dosje të mëdha që i prezantoi javë më parë në Kuvendin e Serbisë, ministri i Punëve të Brendshme, Bratisllav Gashiq.

“Në një moment ministri i Republikës së Serbisë, i ka pasur dy dosje në dorë –duke thënë: ne e dimë kush e ka vrarë Oliver Ivanoviqin dhe krejt i keni në këto dy shkrime (dosje) dhe ata që kanë komunikuar lidhur me vrasjen”, ka thënë Korenica.