Arbëri

Binjakëzohen dy kryeqendrat e përgjakjes jugosllave

Komuna e Skenderajt me atë të Vukovarit të Kroacisë nënshkruan marrëveshje binjakëzimi. Kryetari Fadil Nura tha se të dyja komunat janë kryeqendrat e përgjakjes jugosllave. Ai dhe homologu i komunës kroate, Ivan Penava, dhanë zotimin për bashkëpunim afatgjatë në mënyrë që vuajtjet që banorët e të dyja komunave i kanë përjetuar nga forcat paramilitare serbe t’i kthejnë në fryte bashkëpunimi me qëllimin e përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve

Vizita në Kompleksin Memorial në Prekaz ua riktheu në memorie të enjten zyrtarëve komunalë të Vukovarit të Kroacisë përjetimet e frikshme që i kaluan për tre muaj nga rrethimi dhe sulmet e forcave paramilitare serbe.

Ashtu si familja Jashari, e cila u sulmua nga forcat serbe, edhe shumë familje në Vukovar patën të njëjtin fat, në mes të gushtit dhe fillim të nëntorit 1991. Rreth 7.000 raketa ranë çdo ditë në qytet gjatë të gjithë rrethimit tremujor, i cili shkatërroi rreth 85 për qind të ndërtesave të tij. Pas rrethimit mijëra joserbë u dëbuan, mijëra u transportuan në kampe burgimi në Serbi, ndërsa qindra u ekzekutuan në fermën aty pranë në Ovcara dhe në vende të tjera. Mbi 300 banorë të Vukovarit janë ende në listën e personave të zhdukur.

Gjurmët e mbetura në mure nga granatat e hedhura nga forcat serbe, për kryetarin e Vukovarit, Ivan Penava, përbëjnë dëshmi se në Prekaz ka ndodhur një masakër.

“Në këtë vend përveçqë ndiej një dhimbje të madhe nga sakrifica e familjes Jashari, shihet qartë se historia dhe e kaluara e qytetarëve të Kosovës është e dhimbshme”, ka thënë Penava, i cili vizitoi varret e 55 anëtarëve të familjes Jashari. “Sot unë brenda trupit tim ndiej një emocion të keq pasi vij nga një vend që ka kaluar në të njëjtën fazë. Gjithsesi duhet të theksojmë se shpresojmë që një gjë e tillë të mos përsëritet më. E duhet të theksojmë se realiteti është që këtu ka ndodhur një masakër”, ka shtuar Penava, i cili insistoi të vizitonte cep më cep të kompleksit memorial, përkundër se zyrtarët e tjerë i bënin thirrje që të kujdesej nga temperaturat e larta që mbretëronin në mesditën e së enjtes.

Kryetari i Vukovarit u shpreh i tmerruar kur dëgjoi nga deputetja e Kosovës, Ganimete Musliu, se në Kosovë llogariten rreth 20 mijë gra të dhunuara gjatë luftës së fundit.

“Edhe në Vukovar kemi gra të dhunuara gjatë luftës, por me të vërtetë jam befasuar kur dëgjova se sa i lartë është numri i grave të dhunuara në Kosovë. Me të vërtetë është i tmerrshëm akti që është bërë ndaj tyre”, ka thënë ai.

E drejtori i Arsimit dhe Kulturës, Darko Dimiq, i cili në Kosovë erdhi pas 40 vjetësh, u shpreh i befasuar me ndryshimet në vend. Ndërtimet e larta ishin ato që ia kapën syrin gjatë vizitës në Kosovë.

“Unë para 40 vjetësh kam qenë këtu në një ekskursion që e kishim. E mbaj mend destinacion e kemi pasur Maqedoninë, mirëpo kemi kaluar nga Kosova. Tani kur e mendoj, befasohem sesa shumë ndërtime të larta ka këtu”, ka thënë Dimiq.

Duke treguar për ngjashmëritë që banorët e Vukovarit kanë me ata të Kosovës, përmendi ballafaqimin për integrimin e serbëve në institucione.

“Edhe sot pas 30 vjetëve që kemi dalë nga lufta, ne traumat e saj i shohim çdo hap në Vukovar. Nuk mundemi pa e përmendur se shkollat në Vukavar janë të ndara. I kemi shkollat në gjuhën kroate dhe shkollat në gjuhën serbe. Nuk është situata e mirë. Ne, dhe gjithashtu niveli qendror, jemi duke u munduar për t’i integruar sikur është në pjesën tjetër të Kroacisë, por serbët në atë pjesë nuk janë të interesuar për t’u integruar”, ka thënë Dimiq.

Vukovarin dhe Skenderajn i quajti si dy nga kryeqendrat e përgjakjes jugosllave kryetari Fadil Nura, i cili shprehu shpresën se vuajtjet që dy vendet i kanë kaluar t’i kthejnë në fryte të bashkëpunimit.

“Vukovari dhe Skenderaj kanë elemente të përbashkëta. Këtë e kam thënë edhe në Kuvend, sepse është pikërisht një histori e ngjashme e sakrificës. Vukovari ka filluar rrënimin e sistemit të strukturave jugosllave, ndërsa Skenderaj ka filluar përfundimin e kësaj katrahure që të kemi lirinë dhe demokracinë në shtetet tona dhe besojmë në zotimin e kryetarit të delegacionit që do të vazhdojmë bashkëpunimet”, ka thënë Nura.

Komuna e Skenderajt me atë të Vukovarit nënshkruan marrëveshjen e binjakëzimit. Përfaqësues të komunave përmendën thellimin e bashkëpunimit në sektorin e ekonomisë, arsimit e kulturës.

Për të mbajtur në mend këtë bashkëpunim, të dy udhëheqësit i ndanë njëri-tjetrit dhurata me figura karakterizuese të komunave të tyre.

Penava i dhuroi Nurës kullën e ujit nga akriliku, e cila u bë simbol i rrethimit të vitit 1991, ku u sulmua mbi 600 herë nga forcat serbe. Kulla e ujit, një objekt mbi 50 metra i gjatë, para luftës ishte një restorant, ku qytetarët shkonin për të vrojtuar qytetin nga lart.

E Nura e nderoi kryetarin e Vukovarit me një statujë të vogël të figurës së komandantit të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari.