Partia Demokratike ka reaguar pas një videoje të publikuar nga portali Nacionale për një bisedë mes shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, me deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq e cila pretendohet të jetë bërë në zyrën e Kusari-Lilës.
Ndër të tjera në bisedën e incizuar përmendet edhe një bisedë që kjo e fundit e ka bërë me Milan Radojçiqin, i cili është i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, për rastin Brezovica gjithashtu person në listën e zezë të SHBA-së.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka shkruar në Facebook: “Albin, me Milan Radojçiqin, a me koordinim a pa koordinim”.
Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri i ka bërë thirrje Prokurorisë së shtetit të merret me personat që kanë kontakt me Radojçiqin.
“I bëjë thirrje Prokurorisë së shtetit të merren me të gjithë personat që kanë kontakt me Radojçiqin. Kjo e hap një kohë të re për VV-në që tregon sesi koordinohen me Listën Serbe”, ka thënë ai.
Edhe
Kusari-Lila mohon kontaktin me Radojçiqin e atë me Simiqin e quan normal, opozita kërkon hetim
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se duhet pasur koordinim me qytetarët dhe jo Listën Serbe.
“Nëse duhet të koordinoheni ju duhet të koordinoheni me qytetarët dhe jo Listën Serbe e Rajdoçiqin, marre ju koftë”, ka thënë ajo.
KOHA e ka telefonuar dhe i ka dërguar pyetje Kusari-Lilës për të marrë një qendrim nga ajo, por deri në publikimin e këtij artikulli ajo nuk është përgjigjur.
Ndërkaq deputetja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili, ka shkruar në Facebook se “Nuk qenka më pyetja Me a Pa koordinim. Pyetja qenka me kënd".
Përgjimet e Kusari-Lilës me Simiqin, Tahiri: Kërkojmë përgjegjësi nga kryeministri
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po kërkon përgjegjësi nga ana e qeverisë, pas publikimit të disa përgjimeve, ku e përfshirë është shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.
Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, deklaroi se dorëheqja është më e pakta që duhet të ndodhë.
Edhe
Gashi: Kusari-Lila të japë përgjegjësi, minimumi dorëheqja
Ai shtoi se temat të cilat janë trajtuar gjatë komunikimit të Kusari-Lilës dhe përfaqësuesve të Listës Serbe janë të interesit shtetëror dhe kanë të bëjnë me shkelje flagrante të ligjit.
Në konferencë për media, shefi i deputetëve të AAK-së kërkoi sqarime nga kryeministri, Albin Kurti.
“Përgjimet e sotshme janë shumë serioze, jo pse është publikuar një bisedë në mes të shefes së GP-së së LVV-së dhe Listës Sërpska, por sepse aty shpërfaqet një marrëveshje e cila paska qenë një marrëveshje që nga dita e parë e kësaj qeverie, një marrëveshje sekrete në mes të Listës Sërpska dhe Lëvizjes Vetëvendosje. E dyta, ajo që duhet fillimisht ta trajtojmë shumë serioz, është se temat të cilat janë diskutuar në këtë takim janë të interesit shtetëror dhe se shkeljet janë flagrante, si në raport me ligjin ashtu edhe me moralin politik. Në këtë aspekt ajo që ne kërkojmë si Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës, është përgjegjësi të drejtpërdrejt nga kryeministri, i cili duhet të jap sqarimet e menjëhershme në raport me këto tema”, deklaroi ai.
Më tej, Tahiri shtoi se përgjimet flasin edhe për rrymën në veri dhe për çështjen e veteranëve.
“Në këtë përgjim, shpërfaqet diskutimi rreth rrymës në veriun e Kosovës. Ju e dini që aspekti i rrymës dhe energjisë, është tema më korruptive, e cila tash e saj muaj trajtohet në diskursin publik dhe tanimë dihet se është edhe në një hetim. E dyta, për AAK është e paimagjinueshme që në një takim të tillë të diskutohet koordinimi për çështjen e veteranëve, e cila është paralajmëruar se do të dal. E treta, e bën edhe më problematike fakti që në një varfëri të skajshme është diskutuar që të stopohet trusti, i cili është diskutuar si kauzë me muaj të tërë. Dhe e fundit, shihet shumë qartë që ky rol relacion ka qenë relacion sekret në mes të dyja subjekteve politike. Ndërsa, është trumbetuar përgjatë gjithë kohës që nuk ka koalicion mes LVV-së dhe Republika Sërpska”, shtoi Tahiri.
Shefi i deputetëve të AAK-së tha para gazetarëve se qeveria aktuale nuk ka moral politik dhe akuzat e tyre ndaj qeverive të kaluara, kanë qenë mashtrim.
Edhe
Pushteti i ikën ballafaqimit me opozitën rreth përgjimeve Kusari-Radoiçiq
“A jeni duke e parë se gjatë gjithë kohës akuzat të cilat janë drejtuara ndaj subjekteve politike, drejtpërdrejt nga ne, kanë qenë mashtrim, goditje e ultë për të cilat kryeministri dhe kjo qeveri duhet të jap përgjegjësi. Dorëheqja është më e pakta që duhet të ndodhë, për shkak se ky është një kulminacion i cili tregon fytyrën e vërtetë të kësaj qeverie”, përfundoi Tahiri.
Gjatë ditës janë publikuar disa përgjime ku e përfshirë është Kusari-Lila dhe anëtari i Listës Serbe, Slavko Simiq.
