Pas publikimit të një përgjimi mes ish-deputetit nga Lista Serbe, Slavko Simiq dhe Mimoza Kusari-Lilës, shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, ka thënë se diskutimi ishte në suaza të komunikimit normal. E për pjesën e audio-incizimit, ku Simiqi i thotë asaj se ia ka mundësuar të bisedojë me Milan Radojciqin, deputetja e VV-së e ka mohuar, duke thënë se nuk ka pasur komunikim me njeriun i cili kërkohet nga organet e drejtësisë. Opozita ka kërkuar sqarime nga kryeministri, kurse nga Prokuroria hetim
Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka folur të hënën pas publikimit të një audio-incizimi nga gazeta “Nacionale” mes saj dhe Slavko Simiqit të Listës Serbe.
Kusari-Lila ka thënë se kontakti me ish-deputetin ka qenë në suaza të normales dhe se është biseduar për votimin e tri projektligjeve. Mes tjerash në incizim, Simiqi ia përmend Kusari-Lilës bisedën rreth 40-minutëshe me Milan Radojçiqin, i cili është në kërkim nga autoritetet e Kosovës për shkak të aktivitetit kriminal në veri. Por, siç dëgjohet në audio incizim, Kusari-Lila i thotë të ketë biseduar “3-4 minuta”.
E në deklaratën për media të hënën, ajo ka mohuar të ketë komunikuar me Radojçiqin.
“Unë nuk kam as numër, as komunikim me Milan Radojçiqin. Unë i përmenda, kanë qenë dy përfaqësues këtu që ishin (SlavkoSimiq dhe Goran Rakiq), përderisa gjatë gjithë kohës i kam refuzuar dhe i kam rezistuar komunikimit me të dhe komunikimi çfarë kanë pasur Lista serbe me Milan Radojçiqin është çështje e tyre, e kanë nënkryetar. Ai dihet se si është dhe në Qeverinë Kurti është kthyer aktakuza dhe është kthyer urdhërarresti, prandaj edhe në momentin që do të zihet ai do të arrestohet. Prandaj nuk ka ndonjë hapësirë për ndonjë komunikim tjetër në raport me këtë person”, ka thënë Kusari-Lila.
Sipas saj, përgjimi është “përpjekje e dëshpëruar për të njollosur pushtetin.”
“Të mos harrojmë, sot në terren janë të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, sot individë të lidhur me këto grupe kriminale po arrestohen, natyrisht sipas veprave të cilat i kanë bërë dhe gradualisht veriu po i kthehet normalitetit. Prandaj, krejt çka mund të them është një përpjekje e dëshpëruar për të njollosur së pari Qeverinë, e pastaj pozitën. Për mua është paksa edhe absurde mënyra dhe forma, por gjithsesi që jam këtu për secilin që ka pyetje me këtë”.
E partitë opozitare kanë kërkuar hetime pas publikimit të audioincizimit.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka ironizuar në Facebook: “Albin, me Milan Radojçiqin, a me koordinim a pa koordinim”.
Ndërkaq Abelard Tahiri (PDK) ka theksuar se, Prokuroria duhet të merret me rastin. “I bëjë thirrje Prokurorisë së shtetit të merren me të gjithë personat që kanë kontakt me Radojçiqin. Kjo e hap një kohë të re për VV-në që tregon sesi koordinohen me Listën Serbe”, ka thënë ai.
Kurse Besnik Tahiri i AAK-së ka kërkuar sqarime edhe nga kryeministri Albin Kurti.
“Ajo që duhet fillimisht ta trajtojmë shumë serioz, është se temat të cilat janë diskutuar në këtë takim janë të interesit shtetëror dhe se shkeljet janë flagrante, si në raport me ligjin ashtu edhe me moralin politik. Në këtë aspekt ajo që ne kërkojmë si Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës, është përgjegjësi e drejtpërdrejtë nga kryeministri, i cili duhet të japë sqarimet e menjëhershme në raport me këto tema”, ka thënë Tahiri.
Sipas Nacionales, në përgjimet e tjera që do të publikohen ditëve në vazhdim, Kusari-Lila koordinohet me Listën Serbe për temën e veteranëve, i ofendon kolegët e vet nga partitë në opozitë dhe paralajmërohet një letër që Radojçiqi ia ka përcjellë Kusari-Lilës.