Eksperti i çështjeve të sigurisë, Bejtush Gashi, ka thënë se shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, duhet të japë përgjegjësi dhe minimumi do të ishte dorëheqje për publikimin e një audio-incizimi ku dëgjohet duke folur ajo me terroristin Milan Radoiçiq.
Mediumi “Paparaci” të mërkurën ka publikuar një audio në të cilin dëgjohet Kusari-Lila duke biseduar me Radoiçiqin. Në audio-incizimin e publikuar, flasin për votimin e pagës minimale e votimin e një gjyqtari të Kushtetueses. Përgjimin, Kusari-Lila e ka quajtur “të montuar”.
E Gashi u shpreh se Kusari-Lila duhet të japë sqarime për arsyen e bisedës me një person si Radoiçiqit, i cili sipas tij, nuk është rrezik sigurie vetëm për Kosovën.
“Nëse i referohemi mungesës së transparencës për këtë telefonatë dhe ngurtësisë dhe papërgjegjësisë së deputetes (Kusari-Lila) në aspektin e të dhënit shpjegime e sqarime si dhe autori me të cilin ka telefonuar dhe ajo e ka ditur që është i ndjekur nga autoritetet e Kosovës. Përgjegjësitë që i ka si shefe e Grupit Parlamentar e bën të përgjegjshme dhe duhet të jetë e ndërgjegjshme dhe të japë llogari për këtë lëshim që ka bërë, zhvilloi bisedë me një person të kalibrit të tillë, i rrezikshëm jo vetëm për sigurinë e Kosovës, por më vonë u vlerësu edhe nga Shtetet e Bashkuara që është person me shkallë të rrezikshmërisë të lartë për të gjithë Ballkanin. Kusari-Lila minimumi do të ishte të japë dorëheqje”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.
Sipas Gashit, meqë Kusari-Lila ka përvojë në politikë, duhet të ketë qenë e vetëdijshme se bisedat me personazhe të tilla incizohen.
“Jam e sigurt që çdo bisedë që e zhvillon për shkak të pozitës që ka (Kusari-Lila), e di se incizohet. Duke iu referuar aktiveteve të Listës Serbe dhe ndikimit të Vuçiqit te kjo parti, ajo ka qenë e vetëdijshme se një bisedë e tillë incizohet e cila pastaj në fazat e mëvonshme do të përdoret jo vetëm për të diskredituar Kusari-Lilën, por edhe Parlamentin e Kosovës, pasi partia në pushtet, dhe grupi parlamentar mban shkallën e përgjegjësisë më të madhe dhe duhet të ketë etikë dhe integritet dhe të jenë të kujdesshëm gjatë komunikimit”, ka shtuar ai.
Për deklarimin e kryeministrit Albin Kurti i cili i pyetur për përgjimin u shpreh se është luftë hibride, Gashi ka thënë se deklarimet e tilla po bëhen për shkak që po afron viti elektoral.
“Nuk ka të bëjë me luftë hibride. Ka të bëjë me pranimin e Kusari-Lilës të bisedojë me një person të atij profili. Deklarimi i kryeministrit lidhet ndoshta edhe me vitin elektoral, për të treguar se kjo qeveri i ka kushtuar maksimalisht vëmendje interesit kombëtar. Nëse i referohemi kësaj bisede, realiteti është i kundërt”, u shpreh tutje ai.
Gashi ka thënë se organet e drejtësisë duhet ta trajtojnë rastin deri në fund dhe “të kuptohet arsyeja e kësaj bisede”.