Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se është i gatshëm dhe i interesuar që të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.
Ai të martën në një konferencë për media të mbajtur bashkë me ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se është i interesuar që në Bruksel të paraqesë të gjithë dokumentacionin për siç ka thënë, këtë krim që është bërë ndaj tre policëve, familjeve të tyre dhe Republikës së Kosovës.
Sipas tij shtensionimi drejt paqes nënkupton drejtësi.
“Unë jam i gatshëm dhe i interesuar që të shkoj në takimin e radhës në Bruksel, në mënyrë që të paraqes hollësisht të gjitha këto të dhëna që i morëm dhe ta kuptojnë që deeskalimi të cilin po e kërkojnë të gjithë nënkupton lirimin e menjëhershëm dhe të pakusht të tre policëve dhe dënimin e agresionit të Serbisë në Kosovë”, ka deklaruar kryeministri.
Sipas Kurtit normalizimi nënkupton zbatimin e menjëhershëm dhe pa kushte të marrëveshjes bazike.
Në këtë konferencë Kurti e Gërvalla kanë dhënë detaje lidhur me vizitën e ambasadorit të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, te tre policët kosovarë të kidnapuar, që po mbahen në paraburgim në Kralevë të Serbisë.