Arbëri

KFOR: Prapa protestuesve në veri ishin grupet kriminale

Zëdhënësi i Shtabit të KFOR-it, kolonel Andrea Gallieni, në një konferencë për media të mbajtur të premten ka thënë se ishte e qartë që prapa protestuesve serbë në veri, qëndronin grupe kriminale, që tentuan t'i sulmonin trupat e KFOR-it.

Gallieni ka thënë se gjatë protestës në Zveçan u lënduan disa ushtarë të KFOR-it.

“Duke nisur nga 29 maji trupa shtesë të KFOR-it u dislokuan në veri të Kosovës pasi katër kryetarët ditë më parë tentuan të futen në zyra me forcë. KFOR-i ishte aty për të parandaluar përshkallëzim të mëtejmë të protestës dhe më 29 në një komunë të veçantë (Zveçan v.j.) ndodhi një protestë e madhe. Ushtarët e KFOR-it u përfshinë në protestën e dhunshme. Gjatë protestës ushtarët u lënduan nga gurë, eksplozivë të improvizuar dhe armë zjarri. Ishte e qartë se njerëzit po tentonin të protestonin në mënyrë paqësore, por ishte e qartë se prapa tyre po fshiheshin grupe kriminale që tentonin të sulmonin trupat e KFOR-it”, ka theksuar Gallieni.

Sipas tij është detyrë e Policisë së Kosovës që t’i gjejë e t’i kapë këto grupe.

“Ishte e qartë se qytetarët deshën protesta paqësore, por prapa tyre fshiheshin grupe të organizuara që të sulmojnë dhe është detyrë parësore e Policisë së Kosovës që të ndërmarrë aksione të nevojshme për të gjetur këto grupe dhe nëse ka krim, ta kapë”, është shprehur ai.

Ai ka deklaruar se pas protestave, shumë ushtarë nga kontingjenti italian u lënduan. Në fillim sipas tij ishin 11 nga kontingjenti italian e 19 nga ai hungarez. Ndërkohë që në ditët në vijim, sipas tij, edhe të tjerë u paraqitën me lëndime të lehta.

“Pas 29 majit, NATO vendosi të përforcojë KFOR-in duke dërguar trupa shtesë. Nga 5 qershori, 500 nga kontingjenti turk filloi të dislokohet në Kosovë. Dislokimi ka përfunduar, janë brenda barakave të KFOR-it, po stërviten që të jenë gati brenda ditësh të dislokohen kur të jetë e nevojshme të mbështesin trupat e KFOR-it”, ka deklaruar ai, duke shtuar se do të jenë në Kosovë deri sa të jetë e nevojshme.


Gallieni: Institucionet e Kosovës s’u koordinuan me KFOR-in për veprimet në veri

Sipas tij kjo situatë ka treguar se është e rëndësishme që të gjitha palët të përmbahen nga reagimet.

“Është e rëndësishme që të gjitha palët të përmbahen nga reagimet sepse ashtu siç tregoi kjo situatë, gjithçka mund të përshkallëzojë në nivel më të lartë dhune dhe është shumë e rëndësishme që të gjitha palët të mos marrin veprime të njëanshme pa marrë në konsideratë rrezikun dhe pasojat”, është shprehur Gallieni, duke shtuar se situata aktualisht është më e qetë.

Gallieni ka thënë se institucionet e Kosovës nuk u koordinuan me ta për veprimet që ndërmorën në veri.

“Komandanti i KFOR-it është gjithnjë në kontakt me të gjithë akterët në rajon, me institucionet e Kosovës, mbrojtjen serbe dhe të tjerë. Kur këto ngjarje nisën disa ditë para 29 majit, mund të them se nuk kishte një koordinim, sepse ishte vendim i njëanshëm i institucioneve të Kosovës që t’i lënë kryetarët të futen në zyra me forcë. Por më vonë ne u organizuam të dislokohemi në këto komuna. Siç ndodhi më 29 maj, ne u atakuam dhe u vumë mes dy anëve”, është shprehur ai.

Gallieni ka folur edhe për hapat që do të ndërmarrë KFOR-i në rast se situata përshkallëzon.

“KFOR-it në këtë moment po monitoron situatën dhe është gati të reagojë ndaj çfarëdo përshkallëzimi të situatës. Njësitë e KFOR-it janë të stërvitura të përballen me çfarëdo situate në fushën e sigurisë”, ka theksua koloneli.

I pyetur nëse KFOR-i ka koordinuar veprimet me Policinë e Kosovës, Gallieni ka thënë se KFOR-i vetëm reagoi ndaj situatës së krijuar mes dy palëve.

“Nuk është veprim i koordinuar me PK, është reagim i KFOR-it për atë çfarë ndodhi pasi policia mori disa veprime dhe pasi turma reagoi në atë mënyrë. Kështu që tani njësitë janë prezentë”.

Ka shtuar tutje se nuk dihet se kur trupat e misionit do të largohen nga komunat në veri.

“Nuk ka datë sepse KFOR-i nuk po vepron bazuar në një plan, por po vepron sipas situatës së sigurisë dhe se si kriza po vazhdon. Derisa ka situatë të tillë tensioni që mund të shpërthejë në çdo moment dhe të eskalojë në një nivel dhune, KFOR-i do të jetë prezent në veri”.

Ai e ka përshkruar situatën në veri si të “paqëndrueshme deri sa të arrihej një marrëveshje mes palëve”.