Në kuadër të aktiviteteve në Javën e Krenarisë, të mërkurën është diskutuar edhe për çështjen e mosvotimit të Kodit civil nga deputetët. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se deputetët bënë gabim të madh kur nuk e votuan Kodin Civil vitin e shkuar dhe se kjo çështje nuk ka kthim prapa. Ajo paralajmëroi dërgimin e shpejt të këtij dokumenti në Kuvend për votim
Kodi Civil dhe neni i saj që lejon bashkësitë civile të personave me gjini të njëjta është kthyer për diskutim të mërkurën, në një aktivitet të zhvilluar në kuadër të Javës së Krenarisë.
Në konferencën e titulluar “Nga kriza në veprim”, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se mosvotimi i Kodit në Kuvend është një nga vendimet më ta gabuara të deputetëve. Megjithatë, tha se nuk do të ketë kthim mbrapa për këtë çështje.
“Ju njoftojë se Ministria e Drejtësisë tashmë ka themeluar grupin punues për hartimin e koncept-dokumentit për bashkësitë civile të regjistruara. Kjo po bëhet për herë të parë në Republikën e Kosovës, pra për herë të parë ka një Qeveri që është duke punuar në këtë koncept-dokument. Përmes këtij koncept-dokumenti do të realizohet një analizë e thellë krahasimore e legjislacioneve të vendeve të rajonit, të vendeve të BE-së....Kodi Civil sërish do të dërgohet në Kuvend, nuk ka kthim mbrapa. Të drejtat e komuniteti LGBT janë të drejta të njeriut dhe edhe deputete duhet ta mbështesin duhet të punojnë për to dhe duhet të shërbejnë që ta emancipojnë shoqërinë tonë”, ka thënë Haxhiu.
Arbër Nuhiu, drejtor i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore, tha se të drejtat e komunitetit LGBT+ janë të mohuara nga vetë institucionet.
“Ka shkuar më shumë se një vit që Kodi Civil nuk është paraqitur më në Parlament, d.m.th. nuk është futur në agjendën e Parlamentit, ndërsa në bazë të informatave, aq pak informata sa kemi, nuk është që ka ndonjë ndryshim. Ne jemi të bindur dhe të vendosur që ne kemi me vazhduar me mbrojte të drejtën tonë dhe ne kemi për ta e dërguar Kodin Civil për pyetje në Gjykatën Kushtetuese nëse nuk rregullohet martesa ashtu siç është e paraparë me Kushtetutë”, ka thënë Nuhiu.
E Nazlie Balaj nga Ministria e Drejtësisë ka theksuar se që nga viti 2018 është punuar në Kodin Civil, porse në këto drafte nuk është adresuar çështja e bashkësive civile.
Miratimi i Projektkodit pati dështuar në marsin e vitit të kaluar, shkaku i kundërshtimeve rreth nenit që rregullon bashkësinë civile mes personave të gjinisë së njëjtë. Bazuar në planin legjislativ për sivjet, Qeveria synon që Projektkodin Civil ta miratojë deri në fund të muajit qershor.