Arbëri

Deputeti i VV-së: Aleatët duhet të na mirëkuptojnë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se aleatët ndërkombëtarë duhet t’i mirëkuptojnë veprimet e Qeverisë së Kosovë në veri, pasi sipas tij, duhet të kuptohen obligimet ligjore që i ka shteti i Kosovës.

Aleatët ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dënuan ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës në tre komunat veriiore - Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok – ku kryetarët e rinj kanë hyrë në objektet komunale, një ditë pas betimit. Por atyre u është dashur ndërhyrja e Policisë për t’i larguar protestuesit dhe barrikadat para objekteve komunale. Policia është përballur me shok-bomba e të shtëna armësh nga protestuesit. Në anën tjetër, Serbia ka ngritur në gatishmëri të lartë luftarake ushtrinë.

Rrustemi ka thënë se Kosova e ka detyrë kushtetuese dhe ligjore t’u sigurojë kryetarëve të komunave punën nëpër objektet komunale.

“Procesi ka një kronologji. Muajin e parë pas largimit kemi shpallur zgjedhjet, pastaj ka ardhur kërkesa e miqve ndërkombëtarë për t’i shtyrë këto zgjedhje, mbajtja e tyre në prill, pranimi i organizimit të këtyre zgjedhjeve, marrëveshjet e Ohrit dhe Brukselit – të gjitha këto veprime kanë qenë të koordinuara me aleatët. Ky proces ka një pikënisje dhe po zhvillohet me obligime ligjore dhe kushtetuese. Ka qenë kërkesë për shtyrje, janë shtyrë. Ka pas hapësirë për të marrë pjesë në zgjedhje, serbët kanë refuzuar. Partnerët tanë shprehën zhgënjimin pse komuniteti serb bojkoto zgjedhjet, vlerësuan zgjedhjet. Ne kuptojmë shqetësimin e miqve, po presim të mirëkuptojmë obligimet ligjore që ka shteti i Kosovës. Nuk mendoj që pezullimi i sundimit të ligjit, i demokracisë, i kontribuon qetësisë. Unë mendoj se përkundrazi nxit grupet kriminale sepse nuk sundon ligji. Edhe partnerët ndërkombëtarë duhet të mirëkuptojnë detyrën kushtetuese të shtetit të Kosovës”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.

Rrustemi ka thënë se kuptohen rrethanat në katër komunat veriore, por siç thotë ai, obligimet ligjore janë të padiskutueshme për institucionet e Kosovës.

“Nuk mund të bëjmë kompromis me ligjin. Paqes, qetësisë dhe gjithëpërfshirjes i kontribuon ligjshmëria”, ka shtuar ai.