Arbëri

Bislimi: Kryetarët e komunave në veri e kanë obligim ta nisin punën menjëherë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se kryetarët e sapozgjedhur të komunave në veri të Kosovës e kanë obligim që të nisin menjëherë punën e institucionet publike e kanë obligim që t’ua sigurojnë kushtet për ushtrim të detyrës së tyre.

Të premten kryetarët e rinj të komunave në Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan tentuan të hynin në objektet komunale, një ditë pas betimit, por u përballën me qytetarë serbë që bllokuan hyrjet e objekteve komunale. Policia ka ndërhyrë për t’i shpërndarë protestuesit, ndërsa të paktën dy kryetarë mësohet të kenë hyrë në objektet komunale.

“Kryetarët e komunave të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, që u betuan dje, e kanë obligim ligjor të fillojnë punën menjëherë. Institucionet publike e kanë obligim të sigurojnë kushtet që të njëjtët të ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Si kryetarë të komunave, ata mund të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre vetëm nga ndërtesat e komunës. Të ardhur me votë, mund edhe të rrëzohen me votë”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

Ai ka thënë se qytetarët nuk mund të bllokojnë shkuarjen e të përzgjedhurve në vendet e tyre të punës.

“Një praktikë e tillë do të çonte shumë lehtë në situata absurde ku asnjë kryetar, në asnjë komunë nuk do të mund të ushtronte detyrat e marra. Kryetarët e porsaemëruar i uroj për përgjegjësitë e reja dhe ua rikujtoj që janë aty për të promovuar interesat e secilit qytetar pa dallim të bindjeve politike, përkatësisë etnike, statusit social, moshës apo gjinisë”, ka thënë ai.

Bislimi ka ftuar qytetarët që t’u japin kohë të sapozgjedhurve. Ai ka ftuar mekanizmat e sigurisë të garantojnë sigurinë e qytetarëve dhe ambient të qetë.