Gazetarja e KOHËS, Saranda Ramaj, ka thënë se duhet të shkarkohen të tre anëtarët e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) dhe jo vetëm Kimete Gashi, shkarkimin e të cilës e ka propozuar ditë më parë Qeveria lidhur me tenderin 7-milionësh për insulinat, i cili është bllokuar tash e dy vjet.
Të martën në “Konfront” të KTV-së, Ramaj ka thënë se që të tre anëtarët e Bordit të OSHP-së kanë përgjegjësi të njëjtë, andaj duhet të iniciohet shkarkimi i të gjithëve.
“Kam shkuar një herë te OSHP-ja vetëm për një qëllim. Kam dashur ta shoh me sy të mi dhe ta dëgjoj me vesh të mi vetëm të më tregojë se çka është autorizim marketingu. Eksperti e ka përzier lejen e importit me autorizim marketingun. Nuk besoj që një zyrtar i lartë që i besohet ekspertiza për një tender shtatë milionë, i besohet ekspertiza për një produkt për rreth 16 mijë diabetikë të mos dijë se çka është autorizim marketingu. Insistimi i OSHP-së për tenderin ka qenë absurd. Problemi me vendimin e Qeverisë, mendoj se të tre anëtarët kanë përgjegjësi të njëjtë, të tre duhet të iniciohet shkarkimi i tyre”, ka thënë ajo.
Sipas Ramajt, secili produkt duhet të ketë certifikatë të cilësisë, e sidomos insulinat që janë një prej produkteve më të ndjeshme.
“Insulinat janë një prej produkteve më të ndjeshme dhe besoj që për secilin produkt duhet të ketë certifikatë të cilësisë, por sidomos për insulina për t’ju përgjigjur pyetjes tënde shkurt, ose zyrtarët e OSHP-së, sidomos eksperti dhe anëtarët e Bordit të OSHP-së fare nuk e kuptojnë çka nënkupton cilësia e barnave, ose është ndonjë arsye tjetër për të cilën mbase Prokuroria duhet ta tregojë jo unë”, ka thënë ajo.
Javën e kaluar, Qeveria i ka propozuar Kuvendit shkarkimin e anëtares së Bordit të OSHP-së, Kimete Gashi, e cila sipas kryeministrit Albin Kurti, ka qenë në panelin përzgjedhës për tenderin për insulinat, ku ka fituar kompania pa certifikatën e marketingut që garanton cilësinë e këtij medikamenti.
Në mbledhjen e ekzekutivit, Kurti ka thënë se shëndeti publik po rrezikohet nga ky vendim i OSHP-së dhe rrjedhimisht duhet të merren masa.