Kosova humane e Serbia e ashpër ndaj të dyshuarve për vepra kundër rendit kushtetues

Institucionet e drejtësisë në Kosovë dhe ato në Serbi nuk janë duke aplikuar standarde të njëjta, në rastet e veprave penale kundër rendit kushtetues. Themelorja në Prishtinë ka shtyrë vendimin për ta mbajtur dënimin me burgim Ivan Todosijeviq, nën arsyen se ai është i sëmurë, ani se ai vazhdon ta ushtrojë detyrën e kryetarit në Komunën paralele të Zveçanit. Ndërkaq nga 10 prilli Beogradi i mban të paraburgosur katër serbë të veriut, pa pasur aktakuzë që i ngarkon me aktivitet kundër rendit kushtetues të Serbisë
Standarde krejt të ndryshme po përdoren në Kosovë e në Serbi për ato që konsiderohen në secilën prej tyre si veprime kundër rendit kushtetues. Gjykata Themelore në Prishtinë ka treguar se e ka shtyrë për dy muaj ekzekutimin e vendimit ndaj Ivan Todosijeviqit (nga 3 prilli në 3 qershor), i dënuar në Kosovë me një vit burgim për nxitje të urrejtjes e të përçarjes ndëretnike. Sipas Themelores, ekzekutimi është shtyrë për shkak të gjendjes së keqe shëndetësore të Todosijeviqit.
“Lidhur me lutjen për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit, i dënuari ka bashkëngjitur si provë dokumentet mjekësore në emër të tij. Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, znj. Albina Shabani - Rama, me rastin e vendosjes sipas kërkesës së të dënuarit I.T. për shtyrjen e ekzekutimit të sanksionit penal – dënimit me burg, pas shqyrtimit të kërkesës ka konstatuar se kërkesa është e bazuar, ashtu që ekzekutimi shtyhet për 2 (dy) muaj”, ka shkruar Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës në përgjigjen e saj.
Por ai vazhdon ta ushtrojë detyrën e kryetarit në Komunën paralele të Zveçanit. Avokati i tij, Nebojsha Vlaiq, nuk iu përgjigj pyetjeve të KOHËS përkitazi me funksionin në komunën paralele që Todosjeviq është duke e ushtruar, duke qenë i sëmurë. E as Gjykata nuk tregoi nëse ka informacione për aktivitetin e tij politik, i cili ushtrohet pas shtyrjes së ekzekutimit të dënimit. Në uebfaqen e këtij institucioni ilegal janë publikuar fotografi që mbajnë datën 7 maj, në të cilat Todosijeviq shihet në një meshë në Kishën Sveti Gjorgje. Sidoqoftë, sipas raportimeve të mediave serbe të Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 8 maj. Burimet e KOHËS kanë thënë se Todosijeviqi ndodhet në Kosovë dhe se javën e kaluar ka frekuentuar kafenetë e Zveçanit duke i kremtuar festat si ajo e Shën Gjergjit me pije alkoolike.
