Kryetari i Komisionit ad-hoc për zhvillimin e procesit të vlerësimit kalimtar ose vettingut, Kujtim Shala, ka thënë se Komisionit i duhet një afat shtesë, pasi që sipas tij brenda një afati prej gjashtë muajsh sa ka mandat Komisioni, nuk do të mund të realizojnë atë që kanë planifikuar.
Në mbledhjen e mbajtur të hënën, Shala ka theksuar se Gjykata Kushtetuese nuk ka kthyer ende përgjigje në lidhje me draftamendamentet për vettingun.
"Është e pamundur brenda gjashtë muajve të realizojmë atë që kemi planifikuar...Ne sot duhet të diskutojmë edhe sa kohë na duhet. Ne te kërkojmë edhe gjashtë muaj të tjera mandat. Gjykata Kushtetuese nuk ka ende përgjigje", ka thënë Shala.
Edhe deputeti Adnan Rrusteni tha se puna e këtij Komisioni varet nga shqyrtimi paraprak nga Gjykata Kushtetuese.
"Amendamentet janë në Gjykatë Kushtetuese. Sot i kemi dy opsione, që të kërkojmë edhe një afat prej gjashtë muajve. Opsioni i dytë që të kërkojmë zgjatjen e punës së komisionit pa caktuar afat", ka thënë ai. / KP