Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tani deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), i ka reaguar zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i cili gjatë raportimit në Komisionin për integrime Evropiane ka thënë se dukuria e migrimit “është diçka normale”.
Në një status në Facebook, Hoti ka shkruar se sipas qeveritarëve largimi i qytetarëve nga Kosova qenka normal.
“Si mund të jetë normale nëse largohen nga vendi më shumë se 100 mijë qytetarë në dy vitet e fundit?! Ky numër përbën rreth 7% të popullsisë nga mosha 24-vjeç e sipër. Shtrohet pyetja, a janë normal këta çfarë po flasin?”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Bislimi gjatë raportimit në Komisionin për integrime evropiane është pyetur për largimin e qytetarëve nga vendi. Siç raporton EO ai fillimisht ka thënë se për këtë “duhen statistika”.
Bislimi ka thënë se në Ballkanin Perëndimor ka pasur gjithmonë tendenca për migrim, ndërsa ka shtuar se kjo “është diçka normale”.
“Në Kosovë, në Ballkanin Perëndimor ose në Evropën Lindore ka pasur në vazhdimësi tendenca për migrim. Diku gjysmë milioni mjekë që operojnë në Bashkimin Evropian nuk janë të lidhur me Bashkimin Evropian. Do të thotë, migrimi është diçka normale, është pjesë e tendencave të individit dhe familjeve për të përmirësuar standardet e jetesës”, ka theksuar Bislimi.
Ai ka deklaruar se “mund të bëhet më shumë” që ata të qëndrojnë në Kosovë, duke thënë se “kushtet e punës duhet të jenë më të mira”.
“A jemi duke bërë mjaftueshëm që ata të mbeten në Kosovë? Unë mendoj që mund të bëjmë më shumë. Por, po them, për aq kohë sa gjithandej nëpër Prishtinë, Fushë-Kosovë, Gjilan ka shpallje që kërkojmë punëtorë, kjo nënkupton që ndoshta kushtet e punës duhet të jenë më të mira për t’i tërhequr këta që të mbesin në Kosovë”, ka deklaruar zëvendëskryeministri.