Janë bërë 24 vjet që nga koha kur në Studime të Vushtrrisë forcat kriminele serbe vranë 116 shqiptarë të pafajshëm.
Këta të fundit u nxorën nga kolona e qindra njerëzve që kishin marrë rrugë për Shqipëri.
Nga dëshmitarët mësohet se 116 civilët u pushkatuan brenda dy orëve.
Familjarë dhe qytetarë të tjerë kujtojnë çdo vit këto viktima, e ashtu do të ndodhë edhe këtë vit.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në 24-vjetorin e rënies, ka kujtuar martirët e masakrës së Studimes së Vushtrrisë, duke thënë që ranë për këtë tokë duke u shndërruar në gurë themeltar të lirisë së vendit tonë.
Haradinaj ka shkruar në Facebook se ata u vranë vetëm pse ishin shqiptarë dhe vetëm pse aspironin lirinë e vendit.
“Plagët e popullit tonë janë ende të freskëta dhe nuk mund të mbyllen pa u ndëshkuar të gjitha krimet. Në 24-vjetorin e rënies, kujtojmë dhe nderojmë me përulje martirët e masakrës së Studimes së Vushtrrisë, që ranë për këtë tokë duke u shndërruar në gurë themeltar të lirisë së vendit tonë. Ata u vranë vetëm pse ishin shqiptarë, vetëm pse aspironin lirinë e vendit. Nuk do të ndalemi deri sa të dalin para drejtësisë autorët e krimeve. Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Janë bërë 24 vjet që nga koha kur në Studime të Vushtrrisë forcat kriminele serbe vranë 116 shqiptarë të pafajshëm.
Këta të fundit u nxorën nga kolona e qindra njerëzve që kishin marrë rrugë për Shqipëri.
Nga dëshmitarët mësohet se 116 civilët u pushkatuan brenda dy orëve.
Familjarë dhe qytetarë të tjerë kujtojnë çdo vit këto viktima, e ashtu do të ndodhë edhe këtë vit.
Kurti: Sistemi i drejtësisë të veprojë në dënimin e kriminelëve të luftës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar 24-vjetorin e masakrës së Studimes në Vushtrri.
Ai në Facebook ka shkruar se nё ditёt e para tё muajit maj të vitit 1999, forcat serbe dogjën fshatrat e Vushtrrisë dhe dëbuan me dhunë banorët, e i urdhëruan tё largohen drejt Shqipërisë.
Ai ka thënë se më 2 maj të vitit 1999, në fshatin Studime të Vushtrrisë, forcat serbe nxorën nga kolona dhe i pushkatuan 116 civilë shqiptarë, ekzekutuan fëmijë para syve të prindërve, vranë të rinj e pleq, e edhe gra shtatzëna.
“Familjes Gërxhaliu ia vranë 36 anëtarë, nga mosha 85 vjeç deri në 5 vjeç. Në këtë 24 vjetor përkujtojmë martirët e Masakrës së Studimes së Vushtrrisë. E kaluara jonë është vendimtare për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Gjaku i derdhur për liri nuk shlyhet kurrë, siç nuk mund të shlyhen krimet e Serbisë në Kosovë”, ka shkruar ai.
Kurti i ka bërë thirrje sistemit të drejtësisë që të veprojë në ndriçimin e së vërtetës.
“I bëj thirrje sistemit tonë të drejtësisë që të veprojë për ndriçimin e së vërtetës. Dënime për kriminelët e luftës dhe drejtësi për viktimat. Krimet e luftës nuk parashkruhen as vjetërsohen. Vuajtjet e popullit tonë janë të njoma përherë. I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë martirët dhe dëshmorët e lirisë”, ka shkruar ai.
Osmani: Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, historia s’mund të rishkruhet
Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se masakra e Studimes është dëshmi e gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë.
Në akademinë përkujtimore për masakrën që ndodhi më 2 maji të vitit 1999 në fshatin Studime të Vushtrrisë, Osmani ka thënë se historia nuk mund të rishkruhet.
“Kujtesa historike do të jetë në historinë tonë. Kjo që ka ndodhur këtu është argument se historia nuk mund të rishkruhet. Njerëz tanë u vranë vetëm pse ishin shqiptarë. Sot si asnjëherë duhet ta themi qartë se Serbia ka kryer gjenocid, dhe paqja do të jetë e mundur vetëm kur kryerësit të dalin para drejtësisë”, theksoi Osmani.
Ajo tha se institucionet do t’u gjenden pranë të gjithë atyre që kanë humbur më të dashurit e tyre nga regjimi serb.
“Jemi këtu që të përkujtojmë 116 martirë të pafajshëm, përfshirë fëmijë e nëna shtatzëna. Jam gjithashtu për t’u thënë se dhimbja që keni përkujtuar atë ditë, është dhimbje e gjithmbarshme. Masakra ishte organizuar nga regjimi serb. Sot duhet t’i përkujtojmë dhunën dhe masakrën e përjetuar dhe t’i gjendemi afër të gjithë atyre që humben të afërmit e tyre”.
Më 2 maj të vitit 1999 në fshatin Studime të Vushtrrisë, brenda dy orëve ishin pushkatuar nga paramilitarët serb 116 persona civil që ishin në kolonë për t`u shpërngulur në drejtim të Shqipërisë. / EO
Konjufca në Studime: Krimineli që s’pendohet është i gatshëm ta përsërisë krimin
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se Serbia kishte për qëllim që ta shfaros popullin shqiptar.
Në akademinë përkujtimore për masakrën që ndodhi më 2 maj të vitit 1999 në fshatin Studime të Vushtrrisë, Konjufca tha se kjo ishte një nga masakrat më të më mëdha.
“Kjo ishte një nga masakrat më të mëdha në Kosovë dhe me këso masakra ishin mbushur Kosova në vitin 98-99. Kur të shihet se shumica nga të vrarit kanë qenë civilë të pambrojtur, duke përfshirë fëmijë e gra, tregon qëllimin e vërtetë të Serbisë”, tha Konjufca.
Sipas tij, Serbia ende po vazhdon që ta mbajë të fshehtë fatin e të pagjeturve, duke shtuar se krimineli që nuk pendohet, është i gatshëm ta përsëris krimin.
“Ishte qëllimi me ma zhduk e me na shfaros, vetëm pse jemi shqiptarë. Me na çrrënjos nga toka kur Serbia të gjitha këto krime i ka organizuar dhe plagët tona ende janë të hapura, sepse dhimbja për vrasjen e më të dashurve tanë, nuk kalon kurrë. Mijëra të afërm nuk i dimë ku janë, por secili prej nesh e dimë se ata janë në Serbi, dhe Serbia jo vetëm që nuk tregon por po i fsheh. Krimineli që nuk pendohet, ai është i gatshëm ta përsëris atë”, theksoi Konjufca. / EO
Krasniqi në 24-vjetorin e masakrës në Studime: Krimet nuk do të vjetrohen asnjëherë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se 24 vjet më parë, në Studime të Vushtrrisë nga policia dhe ushtria serbe u vranë dhe u masakruan 116 civilë të pafajshëm dhe të paarmatosur, burra, gra, djem dhe vajza.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se paramilitarët serbë nuk kursyen as fëmijët dhe të moshuarit – në planin e tyre për realizimin e gjenocidit në Kosovë.
“Masakra e Studimes, krahas mbi 400 masakrave të tjera të realizuara në të gjithë Kosovën, janë dëshmitë më të fuqishme mbi atë se kush ishte agresori e kush viktima gjatë luftës së vitit 1998/99. Përkundër kësaj, edhe sot, 24 vite më pas, asnjë nga kriminelët serbë, ekzekutor apo urdhërdhënës, nuk ka dalë para drejtësisë vendore apo ndërkombëtare për të dhënë përgjegjësi për krimet e kryera. Për familjet e viktimave, ne si qytetarë të Kosovës, për shtetin tonë – një gjë është e sigurt: këto krime nuk do të vjetrohen asnjëherë dhe ne nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi! Liria që gëzojmë sot ka në themele gjakun e mijëra martirëve të vendit tonë”, ka thënë Krasniqi.