Arbëri

Mbyllen hetimet rreth dyshimeve për dallaveret në KQZ të konstatuara nga Auditori

Shkeljet e pretenduara përmes një tenderi nga ana e Komisionit Qendror Zgjedhor, për të cilat pati raportuar KOHA e të njëjtat i kishte konstatuar edhe Auditori i Brendshëm, janë mbyllur pa ngritur aktakuzë nga Prokuroria e Shtetit. Në organin e akuzës kanë thënë se nuk janë gjetur elemente të veprës penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”. E, anëtarë të KQZ-së që kishin ftuar prokurorinë për ta hetuar këtë rast, janë shprehur të habitur me mbylljen e hetimeve, duke thënë se shkeljet kanë qenë evidente

Prokuroria e Shtetit e ka mbyllur rastin pa ngritur aktakuzë lidhur me tenderin e Komisionit Qendror Zgjedhor për furnizim me materiale dezinfektuese, për llogari të zgjedhjeve të 14 shkurtit të vitit 2021.

Hetimet patën nisur pas raportimit të KOHËS se kompania kontraktuese kishte realizuar furnizimin duke devijuar specifikat e përcaktuara në kontratë.

Dezinfektuesi i kontraktuar me përmbajtje 70 për qind alkool ishte pranuar nga KQZ-ja, me përmbajtje zero alkool.

Në përgjigjen e Prokurorisë dërguar KOHËS thuhet se nuk janë gjetur prova të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzës.

“Prokurori i Shtetit ka zhvilluar një mori veprimesh hetimore në koordinim të plotë me Policinë dhe institucionet e tjera relevante, si dhe pas analizimit të të gjitha të gjetjeve, më 22.6.2022, e ka mbyllur këtë rast, për faktin se nuk është gjetur se në rastin konkret ka elemente të veprës penale të ‘Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar’, nga neni 414 KPRK-së, apo ndonjë vepre tjetër penale e cila mund të ndiqet sipas detyrës zyrtare”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Megjithëkëtë, shkeljet në kontratë ishin konstatuar edhe në një raport të Auditorit të Brendshëm, sipas të cilit në të gjitha fazat e implementimit ka pasur mospërputhje.

“Pranimi i materialit me specifika dhe kushte të tjera nga ato të kontratës paraqet rrezik që qëllimet e përcaktuara për zhvillimin e aktivitetit të mos realizohen dhe të shpenzohet buxhet për furnizime që nuk përmbushin qëllimet”, shkruan në raportin e auditorit.

Lidhur me mbylljen e hetimeve, autori i këtij dokumenti, Sylejman Gashi, ka thënë se puna e tij ka përfunduar në momentin e dorëzimit të raportit.

“Unë kam kryer auditimin, kam përgatitur raportin dhe i njëjti është aprovuar nga Komiteti i Auditimit të KQZ-së. I njëjti raport i është nënshtruar një procesi hetimor dhe unë kam qenë në cilësinë e hartuesit të tij. Këtu ka përfunduar përgjegjësia ime dhe për gjithçka që ju pyesni jashtë kësaj, unë as nuk jam përgjegjës, nuk kam njohuri dhe as të drejtë të deklarohem”, ka thënë Gashi.

Ai ka theksuar se pas momentit të diskutimit dhe shqyrtimit të tyre në Komitetin e Auditimit, pronësia e raporteve të auditimit i kalon KQZ-së.

“Unë mbetem vetëm hartues i tij dhe përgjegjës për përmbajtjen e tij. Raportet e auditimit njësoj sikurse dokumentet tjera u nënshtrohen procedurave të njëjta të dhënies së tyre jashtë institucionit, nëpërmjet kërkesës për qasje në dokumente zyrtare”, ka thënë Gashi.

E anëtarë të KQZ-së që patën ftuar prokurorinë t’i hetojë dyshimet për dallavere, janë shprehur të habitur me epilogun e rastit, teksa thonë se as nuk janë njoftuar as për mbylljen e tij.

“Unë s’kam një dokument deri tash, as nuk di gjë, as që ka ardhë diçka. Mundem vetëm të flas kuturu. Se a ka pasë apo jo shkelje, nuk ka asnjë diskutim. Ajo është pranuar në të gjitha anët. Por s’mund të them asgjë përderisa nuk kemi dokumente. Ndoshta ka ardhë në Sekretariat, por neve nuk na e kanë dhënë”, ka theksuar Kurteshi. “Nuk e di si punojnë ashtu prokuroria ku e njoftojnë krejt botën, kurse neve që e kemi ngritur rastin, s’po mund të them asgjë. Por prej kësaj prokurorie nuk habitem hiq”.

Mbështetur në dosjen e tenderit, të cilën e pati siguruar KOHA, dezinfektuesi 750 mililitra i kërkuar me përmbajtje 70 për qind alkool në mënyrë përdorimi gel, është pranuar me përmbajtje zero alkool dhe mënyrë përdorimi sprej. Vlera e tenderit ka qenë 136 mijë e 398 euro dhe fituese ishte shpallur kompania “ECO Solution”.

Devijimi ka ndodhur pavarësisht kërkesës së KQZ-së që t’u përmbahet specifikave, duke ia përkujtuar kontraktuesit se materiali i kërkuar ekziston në treg.

As sasia e dezinfektuesit nuk ishte pranuar sipas specifikave të kontratës. Sasia e pranuar jashtë specifikave të kontratës ka qenë në vlerë 7 mijë e 660 copë, ndërsa vlera e tyre e pranuar dhe paguar është rreth 40 mijë euro. Për një dezinfektues të tillë janë paguar 5 euro e 20 centë.

Sasi përtej kërkesës ka pasur edhe për sprej dezinfektues pa alkool, ku çmimi për njësi është paguar 3 euro e 98 centë.

Devijime të mëdha janë të evidentuara edhe te maskat mbrojtëse dhe dorëzat.

Ato shkojnë mbi 60 për qind mbi nevojat e përcaktuara nga standardi i vendosur për shpërndarjen e materialit anti-COVID.

Në kërkesën për inicim të aktivitetit të furnizimit me material anti-COVID, për maska sasitë e aprovuara dhe autorizuara kanë qenë 220 mijë e 860 copë, ndërsa në tabelën ku janë sasitë e rekomanduara është shuma prej 280 mijë e 126 copë apo rreth 60 mijë copë më tepër sesa ato të aprovuara.

Me propozim të Sekretariatit, KQZ-ja kishte miratuar udhëzimin lidhur me masat mbrojtësit për parandalimin e infektimit me COVID-19 të votuesve dhe stafit zgjedhor. Por Auditori i Brendshëm kishte konstatuar se nuk është arritur që specifikat të cilat lidhen me sasitë e nevojshme për material anti-COVID të harmonizohen me masat e parapara.