Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm, Caroline Ziadeh, në fjalimin e saj të fundit në Këshillin e Sigurimit, ka deklaruar se udhëheqësit në Kosovë dhe Serbi duhet të ndërmarrin hapa të përgjegjshëm lidhur me zotimet që i kanë bërë në marrëveshjet e fundit.
Duke folur në lidhje me marrëveshjet e rëndësishme të arritura nga palët, shefja e UNMIK-ut u tha anëtarëve të Këshillit të Sigurimit në raportimin e saj të fundit për Kosovën, që mbahet dy herë në vit, se mungesa e një përkushtimi të dukshëm nga liderët politikë mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta në stabilitetin rajonal.
“Përqendrimi i vazhdueshëm i vëmendjes në parimet dhe deklaratat e pohuara bashkërisht më 27 shkurt në Bruksel dhe të shtjelluara më tej më 18 mars në Ohër, duhet të shoqërohen me udhëheqje të guximshme”, ka thënë ajo.
Në komunikatën e lëshuar nga Zyra për Komunikim e UNMIK-ut, thuhet se ajo ka inkurajuar liderët që të komunikojnë qartë me zgjedhësit e tyre mbi çështjet që prekin jetesën, paanshmërinë e institucioneve gjyqësore dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Ajo ka përmendur edhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 23 prillit në katër komunat veriore të Kosovës, ku u bëri thirrje liderëve dhe institucioneve të zgjedhura që të përmbushin interesat e të gjitha komuniteteve.
Ziadeh ka vlerësuar se një deklaratë e përbashkët për personat e zhdukur do të mundësonte rifillimin e bashkëpunimit të plotë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Grupin Punues për Personat e Zhdukur.
"Kjo do t'u siguronte familjarëve nga të dyja palët, mundësinë të marrin përgjigje për më të dashurit e tyre”, ka theksuar ajo.
Lidhur me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Ziadeh bëri thirrje për shqyrtim të draft-statutit.