Të shtunën është vendosur edhe qendra mobile zgjedhore e fundit. Një ditë para zgjedhjeve të parakohshme në këtë pjesë të banuar kryesisht me serbë, objektet janë pajisur edhe me inventar. Ato do të vëzhgohen nga kamera të sigurisë. Ndërkaq, burime në Polici treguan se mbi një mijë pjesëtarë të saj do të jenë në gjendje gatishmërie për t’iu përgjigjur secilës situatë. Presidentja Osmani ka siguruar qytetarët e veriut se të gjitha institucionet e Kosovës po bëjnë gjithçka për të siguruar që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme dhe që siguria e qytetarëve të jetë e garantuar
Në Jasenovik të Zubin Potokut është vendosur të shtunën edhe kontejneri i fundit, i cili do të shërbejë si qendër mobile e votimit për zgjedhjet e parakohshme lokale në katër komunat e veriut të banuara kryesisht me serbë.
Në majë të katundit, në vendin e njohur si “molla e vogël”, objektin e ruanin pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Në Polici nuk e treguan numrin e zyrtarëve të saj që janë angazhuar për të dielën, por burime të KOHËS thanë se numri i atyre që do të jenë në gjendje gatishmërie e tejkalon njëmijëshin. Po këto burime treguan se tashmë janë përforcuar dy pikëkalimet kufitare me Serbinë në veri dhe bënë të ditur se njësitet elite të intervenimit të shpejtë janë vendosur në këtë pjesë, për t’iu përgjigjur çfarëdo situate.
“Informatat e fundit tregojnë se nuk ka indikacione serioze se do të cenohet procesi. Kemi pranuar shqetësime, por informatat që kemi në ditët e fundit thonë se është hequr dorë prej planeve, qoftë për të vendosur barrikada, qoftë për ta penguar fizikisht procesin zgjedhor të dielën”, ka thënë ky burim. “Ne kemi bërë plane për të gjithë skenarët dhe Policia e Kosovës është e gatshme t’i përgjigjet secilit”.
Kamera të sigurisë janë vendosur lart në shtyllat elektrike, afër secilës qendër votimi.
E qendra mobile në të cilën qytetarët do të kenë mundësi të votojnë për kryetarin e Zubin Potokut, është relativisht e vogël. Dy tavolina e gjashtë karrige është vlerësuar të jenë të mjaftueshme për stafin që do ta mundësojë mbarëvajtjen e procesit, ani se në këtë qendër votimi e edhe në të tjerat si kjo, mesatarisht të drejtë vote do të kenë nga 750 deri në 2 mijë qytetarë.
Një qendër e këtillë alternative e votimit, është vendosur më herët edhe rrugës për në Leposaviq. Edhe aty gjatë ditës u bënë përgatitjet e fundit. Një test iu bë edhe gjeneratorit që do ta sigurojë energjinë elektrike, po qe se ajo mungon.
Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) thanë se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për procesin elektoral të së dielës.
Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi, u deklarua se gjatë 45 ditëve përgatitje, KQZ-ja i ka përmbushur detyrat për të ofruar mundësinë e votimit për të gjithë qytetarët komunave me shumicë serbe.
“Ne jemi të vetëdijshëm për situatën e cila është aktualisht, por sa i takon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ne i kemi kryer detyrat që i takojnë një institucioni të pavarur kushtetues siç është KQZ-ja, për organizimin e këtij procesi zgjedhor. Dhe, natyrisht se institucionet e tjera, ato të sigurisë, kanë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre për ditën e zgjedhjeve”, ka thënë Elezi.
Garanca për sigurinë
Presidentja Vjosa Osmani ka ftuar të gjithë qytetarët serbë në veri të Kosovës që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votë të dielën dhe i ka siguruar se autoritetet në Kosovë do t’ua garantojnë sigurinë në ditën e zgjedhjeve.
Një ditë para procesit elektoral, Osmani në një komunikatë për media, ka theksuar se zgjedhjet janë gurthemeli i secilës demokraci dhe dita e zgjedhjeve është ditë kur zëri i qytetarit dëgjohet nga të gjithë.
“Andaj, zgjedhjet e 23 prillit janë moment i rëndësishëm për ju dhe për të ardhmen e komunave tuaja”, u është drejtuar banorëve të veriut presidentja Osmani. “E drejta e votës është e garantuar me Kushtetutë dhe ligje, ndaj atë e gëzojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim”.
Ajo ka thënë se e kupton që shumë prej banorëve të veriut kanë qenë cak i kërcënimeve dhe frikësimeve që janë bërë javët e fundit nga struktura kriminale me mbështetje të Beogradit, me qëllim që t’i detyrojnë të heqin dorë nga zëri dhe fuqia për ta formësuar të ardhmen e komunave që u përkasin. Por, ka thënë se shteti do t’i marrë në mbrojtje.
“Dua t’ju siguroj se të gjitha institucionet e Kosovës po bëjnë gjithçka për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme dhe që siguria juaj të jetë e garantuar”, ka deklaruar presidentja. “Prandaj, ju bëj thirrje që të refuzoni ata që vijnë te ju me kërcënime dhe shantazhe. Ju inkurajoj që ta dërgoni një mesazh të fortë dhe të qartë me pjesëmarrjen tuaj në zgjedhjet lokale të 23 prillit 2023. Sigurohuni që zëri juaj të dëgjohet këtë të diel, nëpërmjet votës së lirë e demokratike. Mbi të gjitha, pjesëmarrja juaj në zgjedhje do t’u dërgojë një mesazh të fortë atyre që kërkojnë t’ju frikësojnë dhe shtypin, se nuk do të mund t’ju heshtin dhe se zyrtarët e zgjedhur nga ju do t’ju shërbejnë juve dhe interesit të të gjithë qytetarëve të komunës”.
Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës do të jenë gjithnjë dhe çdoherë në shërbimin të qytetarëve në veri dhe ka thënë se siguria dhe perspektiva e tyre është prioritet i të gjitha institucioneve të Kosovës.
Krahas Osmanit, thirrje për refuzim të presionit dhe kërcënimeve nga Serbia e Lista Serbe ka shprehur të shtunën edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ai, nëpërmjet një postimi në Facebook, e kualifikoi të dielën si ditën kur qytetarët serbë të veriut do të çlirohen nga grupet që kanë udhëhequr nën dirigjimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
“Serbia po vijon me përndjekje e arrestime të serbëve të cilët akuzohen se janë angazhuar në institucionet tona. Pasi nën presion i kanë kërkuar dorëheqjet nga institucionet tona, tani edhe i ndëshkojnë përmes arrestimeve e i kërcënojnë përmes formave të ndryshme”, ka shkruar Sveçla. “Qëllimet e Serbisë për destabilizimin e vendit tonë më së shumti kanë rënduar mbi qytetarët e komunitetit serb, të cilët në vazhdimësi janë përdorur si mjet për arritjen e qëllimeve të tyre. Ata janë kërcënuar në vazhdimësi, janë sulmuar, veturat dhe pronat e tyre janë djegur sapo i kanë dorëzuar targat ilegale të Serbisë, bizneset e tyre janë shkatërruar çdoherë që pronarët nuk kanë pranuar të jenë pjesë e lojërave të tyre. Zërat ndryshe janë ndalur padrejtësisht e me orë të tëra nga policia dhe shërbimi sekret i Serbisë, ndërsa tani kur jemi në proces zgjedhor, shumë kandidatë janë penguar e janë dorëhequr për shkak të presioneve e sulmeve të shumta”.
Ai u ka bërë thirrje serbëve në veri që të dielën të dalin të votojnë “përkundër frikës dhe pasigurisë që tentojnë të përhapin qarqe të caktuara e të orkestruara”.
Ligji jep legjitimitet
Procesi elektoral që të dielën do të zhvillohet në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin-Potok dhe Leposaviq është bojkotuar nga Lista Serbe. Eksponentë politikë në veri, që u përkasin partive të tjera politike, kanë theksuar se Lista Serbe, por edhe Beogradi zyrtar, kanë ndërmarrë fushatë kërcënimi e etiketimi, si ndaj kandidatëve që do të marrin pjesë në zgjedhje, po ashtu edhe ndaj votuesve.
Në të katër komunat e veriut do të jenë gjithsej 19 qendra të votimit, të cilave mund t’u drejtohen mbi 45 mijë qytetarë me të drejtë vote. Gjithsej 13 qendra votimi do të jenë mobile, si ajo e Jasenovikut e gjashtë të tjerat do të jenë objekte shkollash, ku janë mbajtur edhe më herët zgjedhjet.
Pavarësisht pjesëmarrjes, zëdhënësi i KQZ-së thotë se zgjedhjet do të jenë legjitime, meqë në ligj nuk parashihet ndonjë prag zgjedhor.
“As në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe as në Ligjin për Zgjedhjet Lokale, nuk është i saktësuar, pra nuk kërkohet ndonjë pjesëmarrje e caktuar e votuesve në proces zgjedhor në mënyrë që pastaj rezultati të mund të certifikohet ose jo nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pra nuk ka ndonjë prag të vendosur lidhur me këtë çështje”, ka deklaruar zëdhënësi Valmir Elezi.
Aktualisht në garë për kryetarë të të katër komunave janë dhjetë kandidatë. Në Leposaviq e Zubin Potok kandidatë për kryetarë kanë vetëm Lëvizja Vetëvendosje e Partia Demokratike. Ndërsa, në Mitrovicë të Veriut, krahas LVV-së dhe PDK-së, garon një kandidat nga Iniciativa Qytetare “Mitrovica”, e në Zveçan, një kandidate e pavarur serbe.