Me një aksion simbolik Partia Socialdemokrate (PSD) ka kundërshtuar gjobën prej 20 mijë eurove, që Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ia ka shqiptuar “për përpunim të kundërligjshëm të të dhënave personale”. Kjo gjobë është shqiptuar për rastin ku kjo parti në oborrin e Qeverisë shpalosi peticionin e vitit 2015 kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe, me 205 mijë nënshkrime të qytetarëve.
Sloganet “Qeveria urdhëron, Agjencioni përmbaron” e “Zajednica nuk është çështje private”, janë shkruar në muret e objektit të AIP-it nga aktivistë të PSD-së.
{gallery}
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se AIP-i është institucion i kapur nga Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas tij Komisionerja për informim dhe privatësi, Krenare Sogojeva-Dermaku është militante e partisë në pushtet.
“Arsyeja e këtij aktiviteti është një gjobë prej 20 mijë eurove që Agjensioni për Privatësi ka shqiptuar ndaj Partisë Socialdemokrate. Më lejoni t’i them disa gjëra; kapja e institucioneve të pavarura tashmë është shndërruar në instrumente vepruese. Ky institucion, siç mund ta dini drejtoresha e këtij institucioni është një militante politike e Vetëvendosjes, e cila është emëruar nga kjo Qeveri”, ka theksuar Molliqaj.