Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “po shkakton incidente në mbarë Kosovën pasi nuk po dëshiron paqe e dialog me Serbinë dhe nuk planifikon ta themelojë Asociacionin”.
Petkoviq ka mbajtur konferencë për media të dielën duke reaguar pas arrestimit të M.B., që dyshohet për djegie të veturave në veri dhe sulm ndaj zyrtarëve policorë.
M.B. është arrestuar të shtunën, ndërsa ai dyshohet edhe për plagosjen e dy policëve të Kosovës me armë zjarri kohë më parë.
“Është e qartë se me sjelljet provokuese dhe veprimet e dhunshme të Policisë së Kosovës, Prishtina dhe Albin Kurti duan të kërcënojnë paqen dhe të nëpërkëmbin dialogun. Albin Kurti po përpiqet të gjejë hapësirë për t’i shpëtuar AKS-së, prandaj i duhen krizat, sepse atëherë nuk ka dialog”, tha Petkoviq, raporton “Kosovo Online”. “Është e qartë se Kurti po kërkon një mënyrë për të shkaktuar incidente që do të shkaktonin një reagim të ekzagjëruar të serbëve, e ai do të shmangej nga obligimet e tij”.
Ndërkohë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, në konferencë për media ka thënë se “serbët do të mblidhen e do të protestojnë nëse Milan Bozhoviq nul lirohet”.
“Do të doja të vija këtu sot për të folur për AKS-në dhe që ajo do të formohet dhe që populli serb në Kosovë e M. do të ndihet më i sigurt. Fatkeqësisht, lëvizjet e fundit të Prishtinës kanë sjellë vetëm indinjatë, revolotë dhe pakënaqësi të madhe të popullit serb”, tha Rakiq.
Policia e Kosovës ka arrestuar të shtunën në veri të Kosovës një person të nacionalitetit serb nën dyshimin për djegie të veturave e sulm ndaj policisë, si vepër të kryer më herët.
“I arrestuari po dyshohet për plagosjen e dy policëve me armë zjarri gjatë sulmit ndaj Policisë së Kosovës kohë më parë. Ai është në listën e të dyshuarve edhe për djegien e veturave në rajonin e Zubin-Potokut, të cilat ishin regjistruar me targa RKS. Ndaj tij ishte ngritur kallëzim penal për katër vepra penale: “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Vrasje në tentativë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare””, thuhet nga Policia.