Arbëri

Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Fushë-Kosovë, imami Ismaili sulmohet fizikisht pranë xhamisë

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Fushë-Kosovës, Ali Ismaili, i cili është edhe imam i xhamisë në dalje të fshatit Miradi e Epërme, ka thënë se është sulmuar fizikisht nga disa persona.

Sipas tij, rasti ka ndodhur në mbrëmjen e së shtunës, ndërsa sulmuesit ka thënë se janë persona të panjohur që kanë dalë nga një veturë pa tabela.

“Para disa minutave, pasi përfundoi namazi i Teravive në Miradi të Epërme, aty ku jam edhe Imam i xhamisë në dalje të fshatit u sulmova fizikisht nga disa persona të panjohur, nga një veturë pikap pa tabela. Siç duket kërcënimet e mëhershme nuk paskan marrë fund dhe përveç kërcënimeve, tani dikush ka vendosur që ta konkretizojnë edhe me sulme fizike”, ka shkruar ai në Facebook.

Ismaili më tej ka bërë thirrje për organet e rendit që ta hetojnë rastin.

“Unë nga pozita e Kryesuesit të Kuvendit të Komunës dhe nga pozita e Imamit të Xhamisë në Miradi të Epërme, nuk i kam borxh askujt dhe gjithmonë punën time e kam kryer dhe do ta kryej me ndershmëri dhe përgjegjësi të plotë. Sulmet dhe kërcënimet e tilla nuk më frikësojnë dhe nuk më ndalin në kryerjen e obligimeve të mia karshi qytetarëve. I bëj thirrje organeve të rendit që këtë problem ta hetojnë dhe ta parandalojnë institucionalisht, sepse sot nuk u realizua, por nesër mund të ndodhë diçka edhe më e keqe”, ka theksuar ai.