Arbëri

Lista Serbe kërcënon me “kryengritje”

Pak orë pas arrestimit të një qytetari serb nën dyshimet për djegie të veturave me targa RKS në veri të Kosovës dhe për sulm ndaj Policisë së Kosovës, Lista Serbe ka kërcënuar me “kryengritje të përgjithshme” nëse i arrestuari nuk lirohet.

“Pasi që mblodhëm të dhëna rreth rrëmbimit të sotëm të një serbi nga ana e njësiteve speciale të Kurtit, duam të njoftojmë se populli serb e paralajmëron Prishtinën që në rast të moslirimit të të arrestuarit në mënyrë të pabazë, të cilin sot e rrëmbyen njësitet e Kurtit në veri të Kosovës e M., dhe nëse nuk ndalohet me maltretimin e popullit serb, atëherë do të shkaktojë reagimin e të gjithë serbëve. Të bëjmë të qartë, ky nuk do të jetë ndonjëfarë paralajmërimi porse ngritje e përgjithshme për ndalimin e represionit të Albin Kurtit mbi qytetarët e pafajshëm”, thuhet në reagim të Listës Serbe.

Të shtunën, Policia njoftoi për arrestimin e M.B. nën dyshimin për djegie të veturave në veri e për plagosjen e dy policëve.

Ditëve të fundit janë raportuar disa djegie të veturave në katër komunat veriore, në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 23 prillit, ku Lista Serbe ka vendosur të mos marrë pjesë. Ka pasur reagime ndërkombëtare që kanë dënuar këto veprime në veri.

Raste të ngjashme në veri janë raportuar edhe në fund të vitit të kaluar.

Atëbotë në veri ka pasur tensione, lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës që të gjitha veturat me targa ilegale serbe të riregjistrohen në RKS.

Në shenjë pakënaqësie me këtë vendim, por edhe për shkak të arrestimit të një ish-polici serb të Kosovës, serbët lokalë patën ngritur barrikada.

Më pas, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian kanë arritur marrëveshje për targat.

Kosova ka hequr dorë nga masat ndëshkuese, nëse nuk bëhet riregjistrimi i veturave, derisa Serbia ka thënë se nuk do të lëshojë më targa të reja për veturat që qarkullojnë në Kosovë.