Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se janë duke ardhur në një fazë kur po shterohen mundësitë që Qeveria të paguajë rrymën për katër komunat veriore.
Sipas Rizvanollit, institucionet e Kosovës e kanë bërë maksimumin për të mundësuar zbatimin e marrëveshjes së vitit 2013, ku serbët në veri do të faturoheshin për rrymën, por nuk ka pasur vullnet nga pala tjetër.
“Çështja në veri, është një çështje tejet komplekse që na brengos të gjithëve për të cilën e kemi një marrëveshje të vitit 2013 e cila duhet të respektohet dhe ne duhet ta bëjmë maksimumin për të. E kemi bërë maksimumin nga ana jonë, si Qeveria, si ZRRE-ja, si KOSTT-i, si KEDS-i, për të mundësuar zbatimin e kësaj marrëveshje, por nuk kemi pas nivel të bashkëpunimit nga pala tjetër. Po vijmë në një fazë kur mundësitë po shterohen”, ka thënë ajo në “60 Minuta” të KTV-së.
Rizvanolli ka theksuar se e kanë fituar pavarësinë energjetike më 2020-n, ndërsa aty janë vendosur kufijtë territorial të Kosovës.
“Është kosto që e paguajmë për ruajtjen e sovranitetit energjetik. Nuk është ideale, por jemi duke bërë gjithçka që konsumatorët atje të faturohet dhe të paguajnë”, ka shtuar ministrja e Ekonomisë.
Rizvanolli ka bërë të ditur se ka pasur ulje të konsumit të energjisë elektrike gjatë vitit 2022 në veri. Për këtë, ajo ia lë meritat Policisë së Kosovës që ka sekuestruar dhjetëra pajisje për mihje të kriptovalutave.
“Ka pasur 3.3% ulje, ndërsa në katër vjetët e fundit ka pasur rritje nga 8 deri në 14 për qind. Për këtë, falënderoj Policinë e Kosovës që po shtrin sovranitetin në të gjithë territorin”, ka thënë ajo.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.