Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se në dy vjetët e para të Qeverisë Kurti, “Kosova ka humbur dy vjet”.
Në “Konfront” të KTV-së, Krasniqi ka thënë se Qeveria Kurti nuk ka përmbushur premtimet e saj si dhe “ua ka humbur shpresën qytetarëve”.
“Në kuptimin formal, ka kaluar gjysma e mandatit dhe kur kalon kjo është dashur nëse jo gjysma, të paktën 40 për qind e premtimeve të ishin përmbushur. Jo që s’kemi 40 për qind të përmbushura nga premtimet megalomane, por ndoshta kemi shumë, shumë herë më pak. Shumë prej veprimeve që kanë ndodhur besoj që as që kanë qenë të planifikuara e as të premtuara. Janë dy vite të humbura, që shpresën e madhe që zoti Kurti ua ka krijuar qytetarëve me fushatën kur fitoi mbi 50 për qind, jo që realisht s’ka mbërritur ta mbajë, por përkundrazi e ka mbytur. Në këtë Qeveri s’ka punë. Qytetarët s’janë prekur nga punët e kësaj qeverie”, ka thënë ai.
Sipas Krasniqit, kurrë më herët “nuk është keqpërdorur e keqmenaxhuar më shumë me buxhetin e shtetit”.
“E ka bllokuar shpenzimin e buxhetit, në kohën kur ka pasur nevojë më së shumti. Edhe më keq se keqpërdorimi”, ka thënë ai duke shtuar se Qeveria Kurti “shembull të qeverisjes dhe simbol e ka ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishajn”.
Krasniqi ka akuzuar Qeverinë Kurti për dështim në të gjitha sferat.
Ai ka thënë se Qeveria Kurti ka mbushur të gjitha agjencitë e pavarura me militantë partiakë. Edhe pse ka pranuar se nepotizmi ka ekzistuar edhe në të kaluarën, Krasniqi ka thënë se “tash është koha që të përfundojë”.
“Janë bërë gati katër vjet që jemi në opozitë. Qe dy vjet ai ka pushtet absolut. E kontrollon presidencën, Kuvendin, Qeverinë, organet e pavarura, i ka mbushur krejt agjencionet e pavarura, edhe ato që i raportojnë Kuvendit, me militantë partiakë e familjarë të zyrtarëve më të lartë të VV-së. I ke gjithkund. Kurrë s’ka qenë ky nivel. Është e vërtetë që gjithmonë ka pasur raste të tilla dhe nepotizëm, por koha është të përfundojë ky nepotizëm. Nëse Kurti ka ardhur me idenë që të ndryshojë, të sjellë drejtësi, pse s’po mundet ta bëjë këtë. A është peng i dikujt? Njerëzve u ka premtuar t’i kryejë punët, dhe le t’i kryejë atëherë”, ka shtuar Krasniqi.
Ai ka thënë se Qeverinë Kurti e dallon edhe “bërja e ligjeve kundërkushtetuese”.