Arbëri

Opozita pa qëndrim unik për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Partitë opozitare nuk kanë formësuar qëndrim unik mbi marrëveshjet Kosovë-Serbi që në dy muajt e fundit janë arritur në Bruksel e Ohër. AAK-ja do zbatimin e tyre, por kundër vazhdon të jetë PDK-ja. E, në shoqërinë civile kërkuan që zbatimi të mos nisë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Opozita në Kosovë nuk ka një qëndrim unik për zbatimin ose jo të marrëveshjes së fundit mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një intervistë që e ka dhënë për emisionin “Konfront” të KTV-së e që do të transmetohet sonte nga ora 20 e 10, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kritikuar përmbajtjen e marrëveshjes dhe ka thënë se ajo është rezultat i gabimeve të vazhdueshme të kryeministrit Albin Kurti.

“Duhet ta dijë secili qytetar, se kjo marrëveshje, që sot është e përkohshme dhe jo finale, e pjesshme dhe jo gjithëpërfshirëse, me pikëpyetje për validitetin dhe obligimin legal të saj sepse s’është nënshkruar e as ratifikuar, dhe mbi të gjitha s’është e përqendruar te njohja e ndërsjellë, por tek Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe besa te autonomia potenciale politike për ta, siç e parasheh neni 7, është produkt i qasjes dhe gabimeve të njëpasnjëshme të kryeministrit Kurti”, ka thënë ai.

Edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, kritikoi përmbajtjen e marrëveshjes, gjatë një interviste në “60 minuta” të KTV-së.

“Kjo marrëveshje e ka çu Kosovën drejt krijimit të pushtetit të tretë për serbët në veri të Kosovës, të cilët përveç në aspektin territorial dhe administrativ do ta kontrollojnë 17.3 për qind të territorit në veri, që është kompakt, ata do t’i menaxhojnë edhe 6 komunat e tjera përtej kësaj pjese të territorit që fillon në Shtërpcë e përfundon në Ranillugë të Kamenicës”, ka deklaruar Haziri.

Por, pro zbatimit të dokumentit që është dakorduar në Bruksel, e edhe të atij në Ohër, është deklaruar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Pas takimit që të enjten e pati me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, Haradinaj ka shkruar se me të ka diskutuar për obligimet që palët kanë karshi Marrëveshjes së 18 marsit.

“Në një takim përmbajtjesor të zhvilluar sot me z. Tomas Szunyog, shef i Zyrës së Bashkimit Evropian, njëherësh përfaqësues special i BE-së në Kosovë, kemi diskutuar hapur për zhvillimet politike në vend, kjo edhe në frymën e obligimeve që duhet t'i kryejnë palët si rezultat i marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Shpreha konsideratën time për angazhimin unik të shteteve anëtare të BE-së për arritjen e kësaj marrëveshjeje. Po ashtu, pata kënaqësinë që të pranoj vlerësimin e ambasadorit Szunyog për rolin konstruktiv të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe timin gjatë gjithë këtij procesi. Implementimi i kësaj marrëveshjeje hap një perspektivë më të qartë integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në strukturat euroatlantike”, ka shkruar ai.

E, në shoqërinë civile kanë kërkuar që zbatimi i marrëveshjes të mos nisë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Ndonëse të drejtat e minoritet serb duhet të akomodohen sipas ligjeve dhe Kushtetutës së vendit, kjo nuk duhet të jetë pika kryesore e diskutimit, por ajo që duhet kërkuar fillimisht është garancia nga Serbia që do të respektojë planin, meqë në të kaluarën ka treguar të kundërtën. Dhe nuk ka kuptim t’i kërkohet Kosovës të implementojë një marrëveshje të tille nëse Serbia nuk tregon seriozitet dhe përkushtim për implementim të saj”, ka thënë Njomza Arifi nga GLPS-ja.

Kosova dhe Serbia u pajtuan më 27 shkurt për përmbajtjen e Planit Evropian për dialogun, ndërkaq më 18 mars në Ohër u dakorduar edhe për aneksin mbi zbatimin e planit. Çështjet që lidhen me zbatimin do të diskutohen më 4 prill ndërmjet kryenegociatorëve të të dyja shteteve, Besnik Bislimit e Petar Petkoviqit.