Pjestarët e komuniteteve egjiptian, boshnjak e turk kanë thënë se ndihen shumë shpesh të diskriminuar në Kosovë.
Norë Xhuzi, gazetare nga komuniteti egjiptian në emisionin “Konfront” të KTV-së ka folur për diskriminimin që ajo thotë se bëhet në shkolla për fëmijët e komunitetit egjiptian.
Sipas saj, në Prizren i kanë selektuar nxënësit e komuniteteve pakicë në një klasë.
“Në një klasë i kanë selektuar fëmijët ku është formuar për të gjithë komunitetet. Është kjo sepse në Prizren njihemi edhe me mbiemër edhe dihet kush çka është. Në atë lagje krijohet një klasë dhe vetëm 6 nxënës janë të komunitetet shumicë...Rastësisht po e dëgjoj njërën mësuese që thotë ‘a mund të bësh diçka të heqësh djalin nga ajo klasë se krejt janë magjup aty’”, deklaroi ajo.
Sipas Xhuzit, pos në baza kombëtare, në shkollat kosovare nxënësit ndahen edhe në aspektin e gjendjes familjare ekonomike.
Musa Bajmak aktivist i shoqërisë civile, ka thënë komuniteti boshnjak është i lidhur shumë me fenë islame dhe sipas tij, gratë e mbuluara nga ky komunitet nuk pranohen në punë edhe nëse e kanë të kryer shkollimin e duhur.
Sipas tij, këtu e ndjejnë diskriminimin.
Edin Kude, aktivist i shoqërisë civile, ka thënë se shumë shpesh u janë djegur flamujt.
Ai ka thënë se e kanë të vështirë integrimin.
Ka thënë se kanë probleme me gjuhën shqipe nëse dalin jashtë qytetit të Prizrenit, pasi sipas tij, në Prizren e dinë të gjithë gjuhën turke.