Kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi, ka deklaruar se ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, u ka premtuar shqiptarëve të Luginës së Preshevës se do t’i bëjë presion Serbisë që t’i zgjidhen çështjet këtij komuniteti.
Ai ka thënë në “60 Minuta” të KTV-së të mërkurën se me ambasadorin Hill biseduan për rreth një orë, e u trajtuan tri çështje, që sipas Arifit, janë shumë të rëndësishme për shqiptarët në Luginë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Tema kryesore ishte pasivizimi i shqiptarëve nga organet shtetërore, ku po tentohet të zvogëlohet numri i shqiptarëve. Mosnostrifikimi i diplomave të qytetarëve që studiojnë në universitetet e Kosovës dhe tema e tretë ishte moskyçja e shqiptarëve në organet shtetërore të Serbisë”, ka deklaruar ai.
Sipas Arifit, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd është mik i shqiptarëve, e ai iu ka premtuar ndihmë për tejkalimin e çdo pakënaqësie.
Për çështjet e pazgjidhura të shqiptarëve të Luginës, Arifi ka shtuar është i njoftuar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit.
“Kemi pasur vizita në Washington dhe iu kam bërë me dije kërkesat dhe kemi kërkuar që në takimet e ardhshme të hapet edhe çështja e të drejtave të shqiptarëve në Luginë. Ambasadori ishte i njoftuar për këto çështje, kësaj here ka marrë një pasqyrë të vërtetë të shkeljes së të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, ka thënë kryetari i Bujanocit.
Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit, e arritur më 18 mars mes Kosovës dhe Serbisë nuk i përfshin shqiptarët e Luginës, por siç ka thënë ai, Serbia s’do të mund të ecën drejt Bashkimit Evropian pa i zgjidhur telashet e Luginës së Preshevës.
“Në çdo takim me Kurtin kemi kërkuar që edhe tema e shqiptarëve të Luginës të jetë temë e dialogut. Kjo çështje s’ka qenë në marrëveshjen e Ohrit, por Serbia s’mund të shkojë drejt BE-së pa zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve të Luginës. S’mund t’i garantohet komunitetit serb në Kosovë të drejta, e jo komunitetit shqiptar në Serbi”, ka shtuar ai.
Arifi ka thënë se pos pasivizimit të shqiptarëve, problematike është edhe mungesa zhvillimit ekonomik, e infrastrukturës dhe e teksteve shqipe për nxënësit në shkollat e mesme.
“Asnjë tekst mësimor në shkollat e mesme nuk ekziston në gjuhën shqipe. Qeveria e Kosovës ka ndarë buxhet për tekstet në shkollat e mesme, por planprogramet e Serbisë nuk përputhen me tekstet shqipe. Profesori jep shënime për nxënësit në shkollat e mesme. Në çdo takim e kam adresuar këtë problematikë te kryeministri. E ky problem është nga vitet e ‘90-ta”, ka thënë Arifi.
Sipas tij, vetëm 300 shqiptarë kanë mbetur në Medvegjë, e situata e pasivizimit të shqiptarëve është alarmante.