Arbëri

Sallahu: Do të respektohet vendimi i Kushtetueses për Ligjin për KPK-në

Blerim Sallahu - Interaktiv

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, me të cilin u shpall i pavlefshëm Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe konstatimet e nxjerra në të nuk janë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias për këtë Ligj.

Ai në një intervistë në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se diçka tjetër ka thënë Komisioni i Venecias e diçka tjetër, Gjykata Kushtetuese.

“Gjykata i ka gjetur disa shkelje të caktuara, sidomos disa nga vlerat e përcaktuara në nenin 7, po ashtu ndarjen e pushteteve dhe po disa nen të tjera lidhur me organizimin, funksionimin dhe pavarësinë e sistemit prokurorial, të cilat në disa pjesë nuk janë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias”, ka theksuar Sallahu, duke thënë se, ndryshe nga ky rast, në shumë raste të tjera Kushtetuesja është mbështetur shumë në Komisionin e Venecias.

Ai ka thënë se nuk kanë pritur që Kushtetuesja do ta rrezojë këtë Ligj.

Sallahu ka thënë se ata do ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por ka shtuar se kjo nuk i pengon ata që ta komentojnë atë vendim.

Zëvendësministri i Drejtësisë, ka paralajmëruar se brenda këtij viti Qeveria do ta procedojë në Kuvend Projektligjin e ri për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për KPK-në.

Për hartimin e Projektligjit të ri, Sallahu ka treguar se do të analizojnë modele të ndryshme të organizmit të sistemit prokurorial.