Instituti i Kosovës për Drejtësi ka kërkuar shkarkimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë për rastin e vrasjes së Sebahate Morinës.
Gjykata Kushtetuese të mërkurën vendosi që Sebahate Morinës i ishte mohuar e drejta për jetë me mosveprimet e Stacionit policor të Graçanicsë dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
“Gjykata, njëzëri vendosi që kërkesa është e pranueshme dhe konstatoi se Policia e Kosovës, përkatësisht Stacioni Policor në Graçanicë dhe Prokurori i Shtetit, përkatësisht Prokuroria Themelore në Prishtinë, kanë dështuar në përmbushjen: (i) e detyrimeve të tyre pozitive për mbrojtje të jetës së S.M.-së, të garantuar me paragrafin 1 të nenit 25 çE Drejta për Jetën] të Kushtetutës dhe paragrafin 1 të nenit 2 (E drejta për jetën) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (ii) e detyrimeve të përcaktuara me paragrafin 4 të nenit 18 (Detyrimet e Përgjithshme), paragrafin 1 të nenit 50 (Reagim, parandalim dhe mbrojtje të menjëhershme), paragrafin 1 të nenit 51 (Vlerësimi i rrezikut dhe menaxhimi i rrezikut) dhe paragrafin 1 të nenit 55 (Procedimet ex parte dhe ex officio) të Konventës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.
Në konferencë për media të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi të enjten, është kërkuar shkarkimi i kryeprokurorit Kujtim Munishi.
“Pas këtij konstatimi të Kushtetueses definitivisht se Prokuroria Themelore e Prishtinës e udhëhequr nga ky kryeprokuror më nuk ka integritet e kredibilitet për të mbrojtur viktimat e dhunës në familje. Veprimi më i pakët që mund të kërkohet nga kryeprokurori Munishi e prokurori i rastit është dorëheqja e menjëhershme. Të tregojnë se në rastin konkret mbajnë përgjegjësi e sistemi vazhdon të mbrojë viktimat”, ka thënë Gzim Shala nga IKD-ja. Ai po ashtu ka thënë se përgjegjës duhet të mbahen edhe zyrtarët policorë në stacionin në Graçanicë.
Shala ka thënë se do të vazhdohet me procedura për të kërkuar kompensimin e dëmit material.
Ndërkohë Arita Reniqi, koordinatore e Qendrës për ndihmë juridike në IKD, ka thënë se vendimi i Kushtetueses shënon një fitore të madhe për krejt rastet kundër dhunës në familje dhe me bazë gjinore.
“Vendimi që u mor dje nga Kushtetuesja, përkundër ndjeshmërisë dhe dhembshurisë së rastit, përbën një rast të rëndësishëm e shënon fitore të madhe për krejt rastet kundër dhunës në familje e dhunës në baza gjinore. Prandaj e shfrytëzoj rastin të falënderojë familjarët e të ndjerës Sebahate Morinq, fëmijët e saj që na besuan me i përfaqësu në rastin. Përkundër situatës që ju kanë ndodhur kanë treguar forcë për t’u mundësuar drejtësi për të gjitha viktimat e dhunës në familje”, tha Rezniqi.
E Betim Musliu nga IKD-ja ka thënë se është çudi mungesa e reagimeve nga krerët e shtetit pas vendimit të Kushtetueses.
“Është e çuditshme dhe e pafalshme heshtja e presidentes Osmani, kryeministrit Kurti, ministres Haxhiu dhe sidomos ministrit Sveçla me këtë rast pas shpalljes së aktgjykimit të Kushtetueses. Heshtja e tyre flet se sa e kanë prioritet gruan, mbrojtjen e saj nga dhuna në familje”, tha Musliu.